Integrimi i Maqedonisë në Bashkimin Evropian varet nga aftësia e Maqedonisë për t’i realizuar reformat e nevojshme, theksoi Ministrja e Jashtme e Suedisë, Margot Valstrom. Si një nga politikanet më të fuqishme në BE, Valstrom për emisionin 360 gradë sqaroi se edhe zgjidhja e kontestit me Greqinë varet tërësisht nga dy vendet pasi BE-ja nuk ka njohuritë e nevojshme sa për të intervenuar midis këtyre dy fqinjëve.

Për ne kjo është diçka që nuk mund ta kuptojmë plotësisht, sepse nuk kemi gjithë sfondin historik, as ndjenjën e lidhshmërisë me gjithë këtë. Prandaj për ne është vështirë të gjykojmë ose të flasim shumë për këtë. Por mendoj se mënyra e duhur është të bëni përpjekje, pikërisht siç po bëni tani, të krijoni kontakt drejt një dialogu politik me Greqinë dhe të shihni nëse ka ndonjë mundësi për progres, qoftë dhe “të mirreni vesh për të mos u marrë vesh” për çështje të caktuara, por të mundoheni të zgjidhni problemin praktik në të njëjtën kohë. E përshëndes këtë- deklaroi Margot Valstrom, Ministre e Punëve të Jashtme të Suedisë

Ndërkohë Maçej Popovski nga Drejtoria për Zgjerim pranë Komisionit Evropian tha se BE-ja synon të zgjerohet kah Ballkani Perëndimor, ashtu siç sipas tij, kishte porositur Presidenti i KE-së, Zhan Klod Junker.

Presidenti dha një porosi të fuqishme te vendet e Ballkanit Perëndimor duke konfirmuar mbështetjen e padyshimtë për perspektivën e zgjerimit, se dera e BE-së është e hapur për zgjerim drejt vendeve të rajoinit që i plotësojnë kushtet. Kjo nuk është diçka e re, por duhet të thuhet. Pra BE-ja në të ardhmen do të ketë më shumë se 27 vende anëtare- deklaroi Maçej Popovski, nga drejtoria për Zgjerim pranë Komisionit Evropian.

Sipas hulumtimeve të fundit, çdo i dyti qytetar i Maqedonisë mendon se vendi do të integrohet në BE gjatë 8 viteve të ardhshme. Gjysma prej tyre vlerësojnë se vendi do të integrohet deri në vitin 2020./alsat-m