Kryeministri Edi Rama ka deklaruar ditën e djeshme se hetimet ndaj ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, mund të jenë një puç politik. Dy ditë më parë shefi i qeverisë u shpreh i hapur për të dërguar ish-ministrin e tij para drejtësisë nëse ishte fajtor. Por pas mbledhjes së Këshillit të Mandateve dhe Rregullores të zhvilluar dje, kryeministri u bind se organi akuzues nuk ka asnjë provë konkrete kundër deputetit socialist, pasi tre prokurorët e pranishëm paraqitën si prova vetëm përgjimet telefonike të kryera nga autoritetet italiane për bandën e Habilajve e asgjë të re. Në rrjetet sociale, Edi Rama i konsideroi diskutimet gjatë mbledhjes si muhabete pazari të bëra nga çorba politike, ashtu siç e quan ai Frontin e krijuar nga partitë opozitare. “Deri këtu muhabet pazari nga 72orë çorbë në kazanët e krimit politikës medies! Të presim me vullnet të plotë për drejtësi. Provat”, shkroi Rama. Më herët gjatë ditës së djeshme, në mbrojtje të deputetit socialist Tahiri doli edhe ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj dhe kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, të cilët, ashtu si Rama, u shprehën se provat e paraqitura janë të pamjaftueshme për të hequr imunitetin e Saimir Tahirit dhe për ta arrestuar më pas.

Komentet

Po në të njëjtin postim ku kreu i qeverisë kërkoi prova të vërteta për ish-ministrin e tij, reagimet kundërshtuese të komentuesve ishin të shumta, disa prej të cilave Rama u ka kthyer edhe përgjigje. Një qytetar ka shkruar se tashmë Saimir Tahirit i erdhi fundi sepse s’ka ditur të mbulojë gjurmët e veta e, për këtë, Kryeministri nuk duhet ta mbrojë. Nga ana e tij, Rama ka ngulmuar në faktin se nuk ka parë asnjë zbulim dhe se gjërat që janë folur deri më tani janë lumë llafesh. “Deri tani nuk kam parë asnjë zbulim, përkundrazi po shoh e dëgjoj gjëra që më fusin në mendime të reja, por pres të shoh ku dallon lumi i llafeve të atyre dy kriminelëve me njëri-tjetrin nga dosja e paraqitur prej Prokurorisë! Deri tani s’e kam parë dhe s’e kam dëgjuar, por pres, e dua të vërtetën më shumë se askush sot, ji i bindur për këtë”, u shpreh Rama. Një tjetër qytetar replikoi me kreun e qeverisë duke i shkruar se provat i kanë patur në tavolinë gjatë këtyre katër viteve. Për komentuesin e irrituar provat janë katër viktimat në mes të Bulevardit, dhjetëra të vrarët në Gërdec, shitja e detit, rruga e Kombit, por Rama i ka kthyer përgjigje duke i thënë se për t’i kthyer në vendime gjyqësore këto prova është Gjykata, ndërsa shtoi se për këtë arsye ka luftuar dhe do luftojë deri në fund për vetingun. “Mos luaj mendsh fare, prandaj jemi në këtë pikë, sepse duam drejtësi që të mos luaj mendsh askush, po të ndëshkohet nga drejtësia, jo nga qeveria, as nga partia, cilido që shkel ligjin! Ato provat që thua ti, nuk jemi as ti as unë që i kthejmë në vendime gjyqësore po është gjykata, gjy – ka – ta! Prandaj luftuam për Reformën në Drejtësi, prandaj luftuam për Vetingun, prandaj duhet të jemi mishërimi i vullnetit për drejtësi edhe kur bëhet fjalë për ne vetë, me çdo çmim, me çdo kusht”, i shkroi kryeministri Rama qytetarit.