Paralelisht me publikimin e aktakuzës kundër Poll Manafort dhe Rik Gejts, shërbimi amerikan i sigurisë FBI njoftoi se edhe një nga anëtarët e ekipit parazgjedhor të presidentit Donald Tramp, këshilltari i ri i politikave të jashtme Xhorxh Papadopulos, para disa muajve ka pranuar se ka dhënë deklaratë të rrejshme derisa është marrë në pyetje nga ana e byrosë hetuese.

Papadopulos disa herë i ka propozuar udhëheqësisë së shtabit zgjedhor të Trampit të hyjnë në kontakt me burime ruse nga të cilët mund të marrin informata të dëmshme për Hilari Klintonin, si dhe me udhëheqësinë politike ruse.

Ai agjentëve të FBI-së u ka thënë se kontaktet e tij me një profesor anonim rus, i cili ka ofruar informata për Hilari Klintonin, janë realizuar para se të hyjë në ekipin parazgjedhor të Trampit, ndërsa në fakt këto kontakte kanë ndodhur një muaj pasi Papadopulos ka hyrë në ekip.