Ditën e sotme u përfol se ishte zyrtarizuar edhe një ndeshje miqësore për muajin nëntor, ku më saktësisht në datën 14 të muajit tjetër, Shqipëria do të zhvillonte miqësoren me Norvegjinë.

Por, nga ajo çfarë shihet në faqen zyrtare të Federatës Norvegjeze të Futbollit, vihet re se federata e vendit nordik deklaron se do të zhvillojnë dy miqësore në nëntor, por asnjëra nuk programohet përballë Shqipërisë.

Më saktësisht, norvegjezët planifikojnë të luajnë ndaj Maqedonisë dhe Sllovakisë.

Trajneri Lars Lagerbak deklaron se është i kënaqur që do të zhvillojë dy miqësore ndaj Maqedonisë dhe Sllovakisë. Ai shprehet: “Jam i kënaqur që do kemi dy miqësore në nëntor. Maqedonia dhe Sllovakia janë kundërshtarë të mirë. Të dyja ekipet janë zhvilluar kohët e fundit dhe kanë marrë rezultate pozitive. Çdo ndeshje na ndihmon të përmirësohemi”, tha tekniku Lagerbak.