Të dielën në Francë zhvillohet një nga ndeshjet mmë të mëdha të këtij kampionati pasi Marseille pret PSG-së. Përveç përballjes që pritet të ketë spektakël, Lorik Cana do të luajë topin e parë nga mesi i fushës.

Ish-kapiteni i Kombëtares, njëkohësisht edhe ish-lojtar me të dyja ekipet, do të zhvillojë kështu edhe një ceremoni në “Velodrome”, për të shënuar kështu mbylljen e karrierës.

Loriku tashmë i tërhequr nga futbolli, e nisi karrierën e tij tek ekipi B i PSG, në vitin 2000, për të kaluar më pas në sezonin 2002 drejt ekipit të parë, ku qëndroi për tre vite.

Më pas, ai kaloi tek klubi i Marseille, ku qëndroi plot katër vite, nga sezoni 2005 – 2009. Aty ai fitoi edhe zemrat e tifozëve, ku për disa kohë ishte edhe kapiteni i skuadrës.

Karriera e Canës përmban edhe skuadra të tjera me peshë, si Sunderland, Gallatasaray apo edhe Lazio.

Pak ditë më parë, në ndeshjen kundër Italisë në “Loro Boriçi”, Lorikut iu rezervua edhe një ceremoni nga FSHF për të shënuar mbylljen e karrierës së tij me kombëtaren shqiptare.