Ekspertiza gjermane e pajisjes lokalizuese e makinës, me të cilën dyshohet se lëvizte Denis Shtraza mbrëmjen e rrëmbimit dhe vrasjes së Gazmend Collaku është bërë objekt debatesh të forta mes palëve në proces.

Në dokumentin që disponon News 24 dhe BalkanWeb, specialisti ngre dyshime për fshirjen e të dhënave të GPS të automjetit luksoz.

Eksperti sqaron se një pjesë të të dhënave ka mundur ti nxjerrë jo nga pajisja lokalizuese, por nga karta memorizuese e tij, çka sipas tij ka shumë mundësi që të dhënat e GPS të jenë fshirë.

Avokati Alban Qafa pretendon se fshirja mund të jetë bërë gjatë kohës që makina ishte nën ruajtjen e policisë dhe e konsideron këtë si një tentativë për të manipuluar provat.

Për këtë mbrojtësit e të pandehurit këmbnëngulën në pyetjen e ekspertit gjerman, kërkesë e cila u rrëzua nga gjykata për Krime të Rënda.

Në fakt, pasi eksperti shqiptar nuk ishte në gjendje të lexonte të dhënat e plota dhe të përcakonte vendndodhjen e automjetit natën e ngjarjes, edhe prokurori kërkoi pyetjen e specialistit të huaj, por më pas u tërhoq.

Denis Shtraza është i vetmi i akuzuar për rrëmbimin e 40-vjeçarit Collaku, i cili pasi u torturua u vra dhe u hodh anë rrugës në Murqinë të Krujës, i lidhur kembë e duar.