Nga Qendra për Shëndet Publik – Shkup informojnë se për tri ditë 2.000 qytetarë kanë marrë vaksina kundër gripit sezonal. Theksojnë se është i madh interesimi për vaksina kundër gripit sezonal.

Sivjet, qendrat për shëndet publik i kanë në dispozicion rreth 30.000 vaksina, prej të cilave 5.000 janë për Shkupin.

Vaksina i mbulon llojet e virusit të gripit të cilat qarkullojnë në hemisferën veriore, duke e përfshirë edhe rajonin evropian dhe Maqedoninë, është përgatitur në pajtim me rekomandimet e OBSH-së dhe mbron prej dy tipave të virusit të grupit A dhe një lloj virusi të grupit B, ndërsa prodhues është Abot nga Holanda, informojnë nga Ministria e Shëndetësisë.

Vaksinimi është mbrojtja e vetme parandaluese kundër gripit dhe rekomandohet për personat mbi 65-vjeç, veçanërisht personat e sëmurë kronik, fëmijët e vegjël nën tre vjeç me imunitet të zvogëluar, punonjësit shëndetësorë, personat me sëmundje kardiovaskulare dhe respiratore, si dhe në përgjithësi personat me imunitet të ulur. Vaksina kundër gripit sezonal është e paobligueshme dhe jepet në baza vullnetare.

Vaksinimi kundër gripit sezonal kushton 400 denarë, si edhe viteve të kaluara.