Disa qindra të moshuar janë mbledhur në Parkun e Çairit për të shënuar 1 Tetorin – Ditën Ndërkombëtare të personave të moshës së tretë.

Ngjarja e organizuar nga Shtabi i Bashkimit Demokratik për Integrim, Dega e Çairit, e cila kishte si qëllim respektimin e këtij brezi, por edhe ofrimin  e një sërë shërbimesh mjekësore e këshillimesh juridike.

Ftesës së degës së BDI-së iu përgjigjën mbi 150 persona, banorë të zonës, të cilët përfituan një sërë shërbimesh ambulante. Ekipi mjekësor drejtohej nga bartësi i listës së këshilltarëve dr.Fikri Abdullahu dhe shefi i shtabit të BDI-së për Çairin, Bujar Osmani kryen një sërë vizitash mjekësore, kontrollimin e nivelit të glukozës në gjak, matjen e tensionit të gjakut, si edhe dhanë shumë përgjigje dhe këshilla për shëndetin e të moshuarve. Po ashtu një ekip me punonjës të shërbimeve sociale ofruan asistencën e tyre për shumë pyetje lidhur shfrytëzimin e benifiteve sociale, të drejtat pensionale, e të tjera.

Në tendat e ngritura në parkun e Çairit të moshuarit u zbavitën edhe me aktivitete të tjera, si lojëra shahu në grupe, por gjithashtu patën mundësinë që me përfaqësuesit e BDI të ndajnë edhe një herë shqetësimet dhe kërkesat e tyre, sidomos me kandidatin për kreun e komunës, Visar Ganiu.

Në këtë ngjarje ishin të pranishëm bartësi i listës për këshilltar në qytetin e Shkupit Besnik Ajeti, Enver Maliqi si dhe një sërë përfaqësuesish politik të BDI, këshilltarë komunalë, mes tyre edhe Petre Shilegov, kandidati i Lidhjes Social Demokrate për kreun e Qytetit të Shkupit.