Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Gjykatës Penale të Shkupit, Stojançe Ribarev ka dhënë dorëheqje nga posti.

Informatën e konfirmoi Këshilli Gjyqësor, i cili nuk dha shumë detaje lidhur me arsyet e dorëheqjes, por shkurtimisht tha se shkaqet e shkruara në letrën e Stojançe Ribarevit kanë qenë të natyrës personale, përcjell SHENJA.

Këshilli njoftoi se Ribarev ka kërkuar që të vazhdojë të punojë si gjykatës i rregullt në Gjykatën Themelore. Tani sa më shpejtë që është e mundur, Këshilli Gjyqësor duhet të thirrë seancë dhe të vendosë për zëvendësuesin e Ribarevit, në bazë të kompetencave që i ka.

Ribarev para se të japë dorëheqje kishte qenë në pushim mjekësor dhe në vendin e tij qëndronte zëvendës-kryetarja, Diana Gruevska Ilievska e cila ka disa procese të rëndësishme të PSP-së që i udhëheq.