Ministri i Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov sot u takua me Lamberto Zanier, komisarin e lartë për pakica kombëtare të OSBE-së, i cili mori pjesë në Takimin vjetor të shefave të misioneve operative të terrenit të OSBE-së në Evropën Juglindore, që këtë vit mbahet në Shkup.

Në takim, informojnë nga MPJ, ministri Dimitrov shprehu kënaqësi nga bashkëpunimi shumëvjeçar mes Maqedonisë dhe OSBE-së, duke shfaqur gatishmëri të vazhdojë në të ardhmen, me fokus të integrimit dhe kohezionit në shoqërinë e Maqedonisë.

“Shefi i diplomacisë së Maqedonisë informoi për hapat më të ri të vendit në muajt e kaluar dhe vendosshmërinë e fuqishme të Qeverisë për ta shfrytëzuar mundësinë për hyrje dhe etablim të Maqedonisë në familjen e demorkacive të zhvilluara. Në atë kontekst i transmetoi edhe këndvështrimet në pikëpamje të ndërtimit të kohezionit më të madh të bashkësive etnike, si dhe momentumin aktual të ndërlidhjes përmes linjave etnike të dala pas krizës politike në Maqedoni”, kumtoi MPJ.

Zanier, i cili kohë më parë e mori funksionin e komisarit të lartë të OSBE-së për të drejta të njeriut , shprehi kënaqësi nga vizioni i shfaqur nga ana e Maqedonisë për zhvillimin e mëtutjeshëm të shtetit. Ai e theksoi gatishmërinë e tij personale dhe të ekipit të tij të japin mbështetje të plotë për përpjekjet e Maqedonisë në rrugën drejt përforcimit dhe zhvillimit të vlerave dhe standardeve demokratike.