Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Maqedonisë, Nikolla Dimitrov, në prezantimin e punës dhe angazhimit të ministrisë që drejton ai për 100 ditët e kaluara të Qeverisë së re, deklaroi se “Qeveria e re ka arritur të krijojë një frymë të re në marrëdhëniet me fqinjët dhe këtë e dëshmon Marrëveshja për fqinjësi të mirë e nënshkruar me Bullgarinë”, raporton Anadolu Agency (AA).

Shefi i diplomacisë së Maqedonisë iu referua edhe çështjes së emrit me Greqinë, për të cilën në pyetjen e gazetarëve theksoi se “negociatat mbi çështjen e emrit ende nuk kanë filluar, por aktualisht janë duke u ‘vizatuar konturet’ se në çfarë formati dhe kur do të fillojnë”.

“Mendoj se nuk është e dobishme të spekulohet për diçka që është apo nuk është brifing i ministrit Kotzias, për këtë duhet të pyetet vetë ministri Kotzias nëse është e vërtetë ose jo. Mendoj se është shumë e rëndësishme të shohim përpara. Është e rëndësishme që çështjet e identitetit të përjashtohen nga ai proces, sepse ashtu praktikisht asnjëherë nuk do të zgjidhet ajo çështje. Dhe, shumë është e rëndësishme të vazhdojmë me këtë proces duke sjellë së bashku dhe kuptuar shqetësimet kryesore nga ana jonë dhe nga ana e tyre”, tha Dimitrov në pyetjen e gazetarëve, duke i mohuar informacionet që në bisedimet me Greqinë diskutojnë për identitetin maqedonas.

Lidhur me informacionet për të rishikuar historinë midis dy vendeve fqinje, ai thekso se nëse “duam të zhvillohet marrëdhëniet midis dy vendeve”, duhet të pyeten historianët si grekët i shohin maqedonasit në kontestin historik dhe anasjelltas.

“Çështja e emrit është bilaterale, por ka implikime rajonale dhe evropiane”

Lidhur me takimin e ardhshëm rajonal që do të mbahet në Selanik, i cili do të sjellë së bashku shefat e diplomacisë së Maqedonisë, Greqisë, Shqipërisë dhe Bullgarisë, tha se takimi do të fokusohet në energji, siguri, ekonomi dhe bashkëpunim rajonal.

Në pyetjen nëse do të përfshihen Bullgaria dhe Shqipëria në bisedimet për çështjen e emrit, Dimitrov u përgjigj se aktualisht është e paraparë që bisedimet të zhvillohen në mënyrë bilaterale mes Maqedonisë dhe Greqisë me ndërmjetësim të Matthew Nimetz, përfaqësuesin e posaçëm të Kombeve të Bashkuara në bisedimet mes Maqedonisë dhe Greqisë për çështjen e emrit.

“Çështja është bilaterale, megjithatë ka implikime rajonale, por edhe implikime evropiane. Ndikon edhe në kredibilitetin e politikës së zgjerimit për të gjithë Ballkanin që e përfshin edhe Maqedoninë. Mendoj se në këtë fazë dhe procesi është bilateral dhe do të zhvillohen nën udhëheqjen e Kombeve të Bashkuara”, deklaroi Dimitrov.

Comments are closed.