Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Maqedonisë Nikolla Dimitrov e filloi turnenë rajonale në vendet baltike me vizitë zyrtare të Republikës së Estonisë – kryesues aktual me Këshillin e BE-së dhe takim me kolegun estonez Sven Mikser.

Siç kumtoi MPJ-ja, në takim me shefin e diplomacisë estoneze, ministri Dimitrov i potencoi masat konkrete të ndërmarra nga ana e Qeverisë në drejtim të realizimit të të gjitha kritereve të nevojshme për fillim të negociatave për anëtarësimin e Republikës së Maqedonisë në BE dhe për anëtarësim në NATO.

“Plasaritjet e pasigurisë duhet të mbushen me perspektivë evropiane kredibile dhe dinamike. Prandaj duhet të përparojmë ndaj ardhmërisë evropiane të mësuar nga gabimet e së kaluarës. Rezultatet e zgjedhjeve lokale në Maqedoni janë njëkohësisht edhe konfirmim dhe përgjegjësi shtesë që të realizohet agjenda reformuese dhe evropiane e Qeverisë. Do të bëjmë gjithçka që mundemi për të marrë rekomandim pozitiv nga KE-ka dhe vendim politik për fillim të negociatave në qershor të vitit të ardhshëm”, theksoi ministri Dimitrov.

Ministri Mikser, ndërkaq, theksoi se Estonia si kryesues aktual me Këshillin e BE-së, mbetet mbështetës i përkushtuar në procesin e zgjerimit të Unionit. Me këtë rast, duke e përshëndetur politikën reformuese të Qeverisë, shtohet, ministri e ka riafirmuar mbështetjen e fuqishme të Estonisë për përpjekjet e Republikës së Maqedonisë për anëtarësim në BE dhe NATO.

“Procesi i zgjerimit duhet të bazohet në kriteret, meritat dhe duhet të jetë korrekt. Perceptimi për dinamikën pozitive të zgjerimit mund të shërbejë si nxitje të reformave vendore”, theksoi ministri estonez.

Dy ministrat u përqendruan edhe në mundësitë për bashkëpunim më konkret për realizimin e kritereve për anëtarësim në BE. Me këtë rast, ministri estonez e potencoi gatishmërinë e Republikës së Estonisë për ta ndarë ekspertizën e saj nga fusha e IT teknologjisë dhe administratës digjitale, si vend udhëheqës në këto sfera.

Në kuadër të vizitës në Talin, ministri Dimitrov realizoi takim edhe me anëtarët e Komisionit për punë të jashtme në Parlamentin e Estonisë, në të cilën u theksua roli i BE-së në përforcimin e stabilitetit dhe prosperitetit të një rajonit të tërë, për çka shembull është pikërisht rajoni baltik. Në bisedimet mes tjerash u riafirmua edhe gatishmëria për bashkëpunim më intensiv midis parlamenteve të dy shteteve.

Ministri Dimitrov mbajti edhe ligjëratë në temë “Republika e Maqedonisë deri te BE-ja dhe NATO-ja përmes politikës së re reformuese”, në organizim të “Institutit estonez për politikë të jashtme” me renome dhe ka dhënë intervistë për gazetën ditore “Paevaleht”.

Turneun baltik shefi i diplomacisë së Maqedonisë e vazhdon me vizita pune në Republikën e Letonisë ditën e mërkurë dhe të enjte dhe Republikën e Lituanisë të premten, theksojnë nga MPJ-ja.