Do të bëjmë çmos që ta bindim secilin vend anëtar individualisht dhe Komisionin se meritojmë në qershor vitin e ardhshëm të kalojmë në fazën tjetër të eurointegrimeve dhe t’i fillojmë negociatat me BE-në, deklaroi sot shefi i diplomacisë së Maqedonisë, Nikolla Dimitrov në mbledhjen ministrore të vendeve të Grupit të Vishegradit që mbahet në Budapest.

Ai theksoi se edhe pse rajoni ynë gjeografikisht është i rrethuar me vende anëtare të BE-së, megjithatë, ne disa vite ishim në margjinat e vëmendjes politike të Unionit. Dhe, shtoi ai, me siguri për më shumë shkaqe, duke e përfshirë edhe krizën migruese, tani u konfirmua se Evropa është më pak e sigurtë pa integrimin e Ballkanit Perëndimor.

“Ne do të bëjmë çmos dhe do të përqendrohemi në reformat në shtëpi, pasi qëllimi ynë i vetëm është ta bëjmë Maqedoninë demokraci evropiane. Nuk do të zihemi me fqinjët, edhe pse ekzistojnë sfida, por do ta shfrytëzojmë këtë proces që të mësojmë si të bëhemi aleatë evropianë. Dëshirojmë ta shfrytëzojmë këtë mundësi historike që ekziston për rajonin, posaçërisht për vitin e ardhshëm dhe do të bëjmë çmos që ta bindim secilin vend anëtar individualisht dhe Komisionin se meritojmë të kalojmë në fazën tjetër të eurointegrimeve dhe t’i fillojmë negociatat me BE-në në qershor vitin e ardhshëm. Maqedonia ballafaqohej me erë në fytyrë viteve të kaluara, tani do të ishte me rëndësi për ne të kemi erë në shpine që t’ju mundësojmë ujëra më të qeta dhe korrje të frytshme”, tha Dimitrov.

Takimi i sivjetmë në Budapest mbahet në kuadër të presidencës hungareze me grupin e Vishegradit, ndërsa gjithashtu janë të ftuar të marrin pjesë edhe ministrat e punëve të brendshme të Estonisë, Rumanisë dhe Sllovenisë. Temë qendrore e takimit është euro-integrimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Grupi i Vishegradit – V4, të cilin e përbëjnë Polonia, Çekia, Sllovakia dhe Hungaria, është mbështetës tradicional i perspektivës evropiane të Ballkanit. Kjo konfirmohet edhe me mbajtjen e takimeve të rregullta vjeshtore të ministrave të punëve të jashtme në formatin V4 dhe Ballkani Perëndimor.