Çështjet e identitetit të hiqen nga procesi i negociatave për emrin me Greqinë, me qëllim që ai proces i afrimit të mund të vazhdojë dhe dy shtetet të kenë mirëkuptim për njëri-tjetrin, deklaroi sot ministri i Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov, në prezantimin e llogaridhënies për 100 ditët e punës së Ministrisë së Punëve të Jashtme.

Ai theksoi se negociatat nuk kanë filluar dhe se për momentin po punohet në hartimin e kontureve të atij procesi, të formës së tyre, të datës.

“Greqia nuk mundet me sukses ta mbyllë këtë kontest nëse Maqedonia është e poshtëruar, ajo është absolutisht e pakontestueshme, madje edhe ‘fitorja’ e Greqisë me veton në Samitin e NATO-s në vitin 2008 është e Pirit, sepse krijoi kontekst të një fqinji i cili  e humbi busullën morale, e shkundi demokracinë e vet, u bë prodhues i problemeve, krizave”, tha ai.

Dimitrov theksoi se ekziston nevoja për tejkalimin e historisë, me qëllim që gjërat të lëvizin në kahje pozitive.

“Druajtja dhe mbajtja në hendekun e historisë e dobëson Maqedoninë, duhet ta zëmë trenin, duke e mbrojtur dinjitetin dhe identitetin e vet”, tha shefi i diplomacisë.

Lidhur me mundësinë për ndryshim të librave shkollor të historisë me qëllim që të ulet topi në raportet me fqinjët, Dimitrov deklaroi se është djali i një babai të ikur nga Maqedonia e Egjeut.

“Babai im ka ardhur në RM pas luftës qytetare në Greqi në vitin 1948. Nuk jam historian, nuk dua të shkoj më konkretisht lidhur me këtë. Nëse duam t’i hapim marrëdhëniet, të çelim hapësirë për bashkëpunim nuk e di përse do të kishim frikë të shohim se çfarë është narrativa historike në Greqi për ne dhe çfarë është narrativa tek ne për Greqinë”, tha Dimitrov.

Ai e paralajmëroi takimin kuadrilateral të mërkurën dhe të enjten në Selanik me ftesë të Nikos Koxiasit, ku do të marrin pjesë edhe Shqipëria dhe Bullgaria. Në takim do të bisedohet për bashkëpunimin në siguri, bashkëpunimin tejkufitar, ndërlidhjen energjetike dhe për tema të tjera aktuale. Ai pret takim bilateral me Koxiasin.

MPJ po zhvillon bisedime me presidentin e shtetit për plotësim të vendeve të ambasadorëve, prej të cilëve tani janë të zbrazëta 13, ndërsa në vitin 2018 numri i tyre do të ngritet në 15.

“Tani jemi në fazën përfundimtare të raundit të parë të negociatave. Trashëgova një situatë të rëndë, ekipimi i Përfaqësive Diplomatike Konsullare dhe në raport me numrin edhe në raport me bilancin mes diplomatëve të karrierës dhe diplomatëve të emëruar politik. Raporti është 60 ndaj 40 në dobi të të emëruarve politik dhe ndërtojmë vullnet dhe konsensus të mirë për ta përmirësuar atë bilanc”, tha ministri.

Ai i numëron arritjet në 100 ditët e kaluara, mes 31 vizitave ndërkombëtare, 17 bilaterale dhe 14 multilaterale, takim me 44 ministra të punëve të jashtme, nënshkrim i deklaracioneve dhe deklaratave politike për partneritet, takimin e Këshillit për stabilizim dhe asociim mes RM-së dhe BE-së, takimin me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, si dhe takimin e Këshillit Veriatlantik, me të cilin u rrumbullakësua cikli i 17-të i afrimit drejt NATO-s.

“Maqedonia nga një vend, i cili asocoi në krizë, sot paraqet një vend i cili asocon në shpresë dhe mundësi”, theksoi shefi i diplomacisë.