Dorëheqja e kreut te SHISH, Visho Ajazi Lika ka qenë një lajm i papritur sot.

Ish ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani ka zbardhur prapaskenat e dorëheqjes së kreut të SHISH, Visho Ajazi Lika.

I ftuar në emisionin “Opinion”, Manjani ka thënë se Ajazi i ishte kërkuar prej kohësh që të linte këtë detyrë dhe deri më tani ai ka qëndruar formalisht në këtë post.

“Mesa di unë arsyeja ishte personale. Por di që para 6 muajsh ai ka dorëzuar mbi tavolinën e kryeministrit dorëheqjen. Atij i është kërkuar njëkohësisht që të rrijë në detyrë në detyrë deri kur t’i kërkohej largimi”, tha Manjani.

Ndërkohë që Visho Ajazi Lika e mori këtë detyrë në 1 gusht në vitin 2012, ku zëvendësoi në këtë post Bahri Shaqirin.

Kjo dorëheqje vjen në një kohë kur situata politike në vend është mjaft e ndezur, veçanërisht pas hetimeve të nisura për ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri si të dyshuar për përfshirje në trafik të drogës me organizatën kriminalë të Habiljave, kushërinjve të tyre. Kreu i bandës Moisi Habilaj është arrestuar në Itali dhe nga përgjimet atje ka dalë edhe perfshirja e ish-ministrit.

Ndërkohë, SHISH thuhet se ka bërë investigime edhe në Shqipëri për dosjen e Habiljave, informacione që ja ka referuar edhe prokurorisë edhe Policisë. Hetimi për këtë grup të strukturuar kriminal ka çuar në përplasje të fortë policinë dhe organin e akuzës, ndërsa hetimi i nisur më 17 tetor për ish ministrin Tahiri ka bëre që vetë kryeministri Edi Rama të akuzojë Prokurorinë për veprime të nxitura politikisht.