Drejtori i Policisë së Shtetit, Haki Çako ka deklaruar në seancën ndaj Emiljano Shullazit se Dhori Kule i ka thënë që është kërcënuar nga Shullazi.

Ora News informon se në seancën e sotme tek Krimet e Rënda, Haki Çako ka pretenduar që është vënë në dijeni për kërcënimin nga ministrja e Arsimit Lindita Nikolla. Ai ka thënë se ka pasur një takim me Nikollën dhe bashkë me të edhe me rektorin në atë kohë, Dhori Kule, i cili i ka përmenduar që një nga personat që e ka kërcënuar kishte qenë Shullazi.

Ndërkohë ish-rektori Dhori Kule ishte i pranishëm ne seancë, por nuk ka dëshmuar pasi është lërguar për arsye shëndetësore.

Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri ka deklaruar se e ka marrë informacionin për kërcënimin nga një denoncim publik i bërë nga ish-kryeministri Sali Berisha.

Tahiri ka deklaruar se pse Berisha nuk është marrë në pyetje në lidhje me mënyrën si e kishte marrë vesh këtë kërcënim, por janë marrë për të dëshmuar persona të tjerë. Kjo ka bërë që ai të replikojë disa herë.

Janë pyetur edhe Klodeta Dibra dhe Majlinda Keta, të cilat kanë dëshmuar thjesht vetëm për procedurat që janë ndjekur në prill 2016 në kohën e zgjedhjeve në universitete pa përmendur emra për kërcënimin që i kishte ndodhur kandidatit për rektor Mynyr Koni.

Seancën tjetë do të dëshmojë Lindita Nikolla, Dhori Kule, Ervin Hodaj.

Ndërkohë kreu i opozitës, Lulzim Basha reagoi pas vendimit që ish-kryeministri Sali Berisha të thirret për të dëshmuar.

“Sajmir Shullazi dhe Emiliano Tahiri në sintoni të plote me njëri tjetrin kërkojnë deshminë e Sali Berishës. Kjo natyrisht nuk është rastësi por një përpjekje e koordinuar mes dy ortakëve me urdhër të Edi Ramës për të larguar vëmendjen nga krimet dhe trafiqet ku janë përfshirë së bashku. T’i kërkosh Edi Ramës të luftojë krimin e organizuar është njësoj si t’i kërkosh të luftojë vetveten,” tha Basha.