Deputetja e Partisë Demokratike, Fatbardha Kadiu, ka denoncuar atë që ajo e quan “krim ekonomik që po i bëhet qytetarëve shqiptarë”.

Anëtarja e Komisionit parlamentar për Ekonominë dhe Financat shprehet se duke parë projektligjin “Për miratimin e buxhetit faktik të shtetit për vitin 2016”, që po shqyrtohet aktualisht në Kuvend, rezulton se ky krim ekonomik i konsumuar gjatë tre viteve të fundit arrin shifrën prej 2.5 miliardë lekësh.

“Duke parë draftin e paraqitur më rezulton se krimi ekonomik i shkaktuar nga kjo qeveri ndaj qytetarëve shqiptarë për vitin 2016 është 820 milionë euro (109.546 milionë lekë). Në total për tre vite 2014-2015-2016 ky krim ekonomik sipas KLSH-së ka arritur në shifrën alarmante 2.5 miliardë euro. Po ashtu, duket qartë se qeveria ka një mungesë të theksuar strategjie afatgjatë; paaftësi për menaxhimin e financave publike dhe konfuzion në përcaktimin e objektivave”, deklaron deputetja e PD-së, teksa analizon edhe problematikat e tjera që nga borxhi publik, deficiti buxhetor apo bilancin tregtar. “Borxhi publik (pa përllogaritur detyrimet e fshehura) është rritur me 23.4 miliard lekë. Deficiti buxhetor është realizuar 34% nga financimi i brendshëm dhe 66% nga financimi i huaj. Kthimi në të kundërt i këtij raporti (të brendshëm me të huaj) tregon koeficientin e ulët të indipendencës së financave publike të vendit tonë. Bilanci tregtar është rritur apo zgjeruar me 11.3%”,  shton Kadiu.

Gjithashtu, anëtarja e Komisionit për Ekonominë dhe Financat thekson se nëse do ta shikonim realizimin e buxhetit në bazë produktesh do të shohim se 11 ministri nuk kanë arritur të realizojnë produktet e tyre sipas programeve përkatëse.

“Sa i përket shpenzimeve të pushtetit vendor vihet re se shpenzimet mbi pagat krahasuar me vitin 2015 janë shtuar me 47%. Ky element është tregues i qartë se reforma administrative-territoriale, që kishte si objektiv të saj dhe uljen e shpenzimeve mbi personelin rezulton ineficente. Jo vetëm që ky zë nuk është ulur, por rezulton dhe i rritur në masën 47%. Taksa e biznesit të vogël është ulur. Por taksat lokale pothuajse janë dyfishuar. Pra, barra fiskale, e biznesit të vogël është rritur shumë më tepër se ajo e vitit 2015”, vijon Kadiu.

Sipas saj, i gjithë buxhetit i vitit 2016 tregon sesa qorrazi qeveria alokon fondet publike dhe i alokon ato kryesisht ne shpenzime operative.

“Ndryshimi shpeshherë i saj bën që dokumenti i buxhetit të humbi rolin e tij të qenit mjet strategjik për zhvillimin e vendit. Parë ky buxhet edhe në kuadër të buxhetit afatmesëm shikohet një mungesë strategjie sesi qeveria dizenjon ecurinë ekonomike të vendit dhe kjo tregon një mungesë aftësie të menaxhimit të financave publike. Paqartësia midis qëllimit objektivave dhe produkteve mbetet shumë konfuze”, përfundon deklaratën e saj deputetja e PD-së, Fatbardha Kadiu.