Gjatë vitit të kaluar, për shkak të tentimeve për grusht shtet në Mal të Zi, ngjarjet në Maqedoni dhe presioni ndaj presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, Rusia i tregoi qëllimet e veta më qartë se sa në të kaluarën, deklaroi Daniel Server, analist i Fakultetit për studime të avancuara ndërkombëtare në Universitetin “Xhons Hopkins”, ekspert për Ballkanin dhe ish-diplomat.

Server konsideron se kjo sipas të gjitha gjasave i shkaktoi komentet e zëvendës ndihmësit të sekretarit amerikan të Shtetit, Hojt Brajan Ji se Serbia nuk mund të ulet në dy karrige gjithmonë.

Ai konstatoi se nga Serbia nuk pritet të bashkëpunojë me Rusinë, por ta harmonizojë politikën e vet të jashtme me politikën e BE-së, nëse anëtarësimi në Union është qëllimi i saj strategjik.

“Parashtrohet pyetja përse dikush i cili ka nevojë për reforma ekonomike dhe politike të mbështetet në Moskën? Ekonomia ruse është me madhësi të asaj spanjolle (së bashku me Katalonjën), ndërsa sistemi politik është i fokusuar në ndjekjen dhe eliminimin e konkurrencës. Dhe derisa armata ruse arriti suksese të caktuara në Ukrainë dhe Siri, ajo ende nuk e ka kapacitetin, për dallim nga Perëndimi, t’i mbrojë miqtë dhe aleatët e vet”, theksoi Server, duke shtuar se Rusia po e humb pushtetin rajonal.

Ish-diplomati amerikan pohon se lidhjet e afërta me Rusinë përfshijnë pranim të standardeve të Putinit për sundim me shtetin, përderisa reformat që i kërkon BE-ja janë në drejtim të përmbushjes së kritereve, mes të cilave është edhe rekomandimi i liderëve politik që të përballen me korrupsionin në Ballkan.

“Vuçiq, i cili sërish fitoi në zgjedhje me platformën e vet proevropiane, do të bëjë gabim të madh nëse nuk vendosë për BE-në. Ai atëherë do të duhet të heqë dorë nga kontrolli ndaj mediumeve dhe të pranojë gjyqësi shumë më të madhe të pavarur, e gatshme t’i vejë fund korrupsionit dhe keqpërdorimeve të tjera”, theksoi Server.

Megjithatë, sipas tij, Serbia ka lidhje të rëndësishme me Rusinë, e ai është bashkëpunimi ushtarak, interesat ekonomike, kultura sllovene…

“Rusët u dhanë disa ‘mig 29’, mbajtën stërvitje të përbashkëta ushtarake dhe krijuan bazë logjistike “humanitare” në aeroportin në Nish”, theksoi Server, duke shtuar se Rusia e pengon Kosovën për t’u pranuar në KB.

Server theksoi se “nuk ekziston vend anëtar i BE-së, i cili ka bazë ruse në territorin e vet, me përjashtim të Serbisë, e cila është kandidate për anëtarësim”.

Duke i komentuar deklaratat e ministrit serb të Mbrojtjes, Aleksdandar Vulin, lidhur me thëniet e Hojt Ji, Server thotë se “Vulin do të ketë kredibilitet shumë më të madh që të ankohet ndaj deklaratave shumë më të fuqishme të cilat vijnë nga ambasadori rus dhe nga Moska, por, kuptohet, ai nuk u ankua”.

“Është e qartë se është i orientuar pro-Rusisë. BE-ja dhe SHBA-ja presin konkretizim nga partnerët e vet, posaçërisht ata të cilët dëshirojnë të kyçen drejt Unionit. Ta lëmë anash NATO-n, sepse Serbia nuk dëshiron të hyjë në NATO, edhe pse nuk mendoj se dera është mbyllur tërësisht, por situata e uljes në dy karrige po bëhet e paqëndrueshme, që do të thotë se nevojitet orientim i qartë i Qeverisë serbe”, konstatoi Server.