Forma e dobët që po kalon Chelsea në këtë sezon, ka vënë në dyshim të ardhmen e trajnerit Antonio Conte me skuadrën kampione të Anglisë.

Por portieri i ‘Bluve’, Thibaout Courtois ka thënë se të gjithë lojtarët janë të bashkuar dhe të gatshëm për të dhënë gjithçka nga vetja për të pasur rezultate më të mira, si dhe për mos ta rrezikuar trajnerin e tyre.

“Më kujtohet se çfarë ka ndodhur dy vite më parë me Jose Mourinhon dhe gjërat që janë folur në atë kohë, spekulimet për mosmarrëveshje në dhomën e zhveshjes e të tjera, pa e ditur në të vërtetë se çfarë po ndodhte”, ka thënë Courtois.

“Jemi të lumtur t’u tregojmë të gjithëve se jemi të gatshëm për të luftuar. Të gjithë e dimë se çfarë do të kishte ndodhur nëse do të humbnim nga Watfordi”.

“Ne do të vazhdojmë të luftojmë në çdo ndeshje, si për trajnerin ashtu edhe për veten, për të qenë sa më të suksesshëm”, ka përfunduar portieri belg.