Fushata me çokollata e Lëvizjes Besa, përkatësisht shpërndarja e çokollatave të ambalazhuara me mesazhin dhe fotografinë e kandidatit të Çairit, Zekirija Ibrahimi, po ndjek modelin e partisë VMRO-DPMNE, atë të shpenzimit pa kriter të parave për të fituar sa më shumë vota.

Për banorët që kanë marrë në duar çokollatat e Besës nuk kanë sesi të mos i vijë në mend një episod nga skandali i përgjimeve mes dy funksionarëve të VMRO-DPMNE, të cilët duke iu referuar luksit me të cilin individë të partisë kanë në shfrytëzim ndër të tjera pohojnë se “ne harxhojmë për çokollata, kur populli s’ka buke të hajë”. Kjo po ndodh edhe brenda Besës. Si  fushata për në raundin e parë të zgjedhjeve që u orientua drejt sulmeve dhe akuzave verbale ndaj rivalit të BDI-së,Visar Ganiu, ashtu edhe gjatë raundit të dytë ku Besa dhe kandidati i saj Zekirija Ibrahimi është e qartë se s’kanë se çfarë të ofrojnë, përveç fletushkave, stilolapsave dhe në fund çokollatave.

Mungesën e programit, projekteve konkrete dhe të detajuara për zhvillimin e zonës, përmirësimin e infrastrukturës dhe shërbimeve,  jetës së banorëve e të tjera Besa po e zëvendëson me një formë joserioze të fushatës. Dhurimi i çokollatave përbën veprimin më absurd, sidomos për ato shtresa të popullsisë që jetojnë me ndihma sociale, që nuk kanë para që të përmbushin nevojat më elementare. Nuk dihet saktë sesa numri i çokollatave të shpërndara në të gjithë komunën, apo edhe paratë e shpenzuara për to, por në mungesë të projekteve dhe të premtimeve konkrete votuesit do të kishin preferuar që të paktën të mos iu dhuroheshin çokollata dhe paratë e shpenzuara për blerje çokollatash e stampime ambalazhesh të dhuroheshin për qëllime bamirësie, ose qëllime të tjera dobiprurëse për to.

Sic ishte në rastin e kandidatit Visar Ganiu, i cili së bashku me aktivistët organizuan një fushatë ndërgjegjësimi dhe konsultimi, duke i ofruar banorëve shërbime mjekësore, analiza falas gjaku, matje tensioni, glukozës, e të tjera.

Çokollatat e Besës kanë shijen e hidhur të manipulimit të cilën të dielën e provuan shumë banorë që do t’i drejtohen kutive të votimit, e aq më keq kur këtë shije të propagandës e kanë provuar edhe ata të cilët assesi nuk guxojnë të bëhen pjesë e saj, fëmijët.

Na ndajnë edhe disa ditë nga balotazhi dhe përballja mes dy kandidatëve vazhdon. Kandidati tjetër, Visar Ganiu, vazhdon fushatën duke projektuar shpresat dhe vizionet e banorëve në Kontratën e tij katërvjeçare për zhvillimin e Çairit, dokument ky i cili vazhdon të plotësohet me iniciativa dhe projekte të reja. Të dy kandidatët, Ibrahimi i Besës dhe Ganiu i BDI-së po i drejtohen në forma të ndryshme votuesve. Ganiu vazhdon të trokasë në dyer jo për të mbledhur vota, por për të marrë ide dhe sugjerime prej tyre, vërejtje dhe propozime.