Ali Ahmeti ishte tepër i qetë një javë para raundit të parë të zgjedhjeve.

Ishte një qetësi e “frikshme” për ata që nuk e njohin nga më parë. Duket si qetësia e një njeriu që ose i ka vënë të gjitha në terezi ose i ka larë duart me këtë botë. Rezultati i fundit i zgjedhjeve tregoi se ishte ajo e para.

BDI-ja e nisi në dezavantazh raundin e dytë të zgjedhjeve lokale në Maqedoni duke iu dashur të përballet me një koalicion mes Lëvizjes Besa dhe Aleancës për Shqiptarët të udhëhequr nga Zijadin Sela.

Sërish në letër, BDI-ja dukej e humbur thuajse në të gjitha komunat dhe e shkatërruar fare në Tetovë, Çair dhe sidomos në Strugë.

Përballë kësaj situate, Ali Ahmeti kreu një operacion të detajuar politik duke arritur në fund që të marrë edhe Strugën përmes një llogaritjeje mjaft të saktë të votave. Kjo e fundit dukej thuajse e humbur pas raundit të parë.

Kështu, BDI-ja u rrit me 2 026 votues të rinj në Çair duke neutralizuar avantazhin në letër të koalicionit Aleanca me Besë.

Një panoramë e ngjashme u pa edhe në Tetovë ku sëbashku me votat e PDSH-së dhe disa qindra votues nga LSDM, BDI mposhti Bilall Kasamin, i cili kishte mbështetjen e ASH-së dhe një numri të kufizuar votash nga VMRO-ja.

Përmbysja më e madhe u bë në Strugë ku Ramiz Merko ishte rreth 1 390 vota pas Zijadin Selës në fund të raundit të parë, ndërsa u rendit i pari me 13 927 vota në raundin e dytë.

Struga dhe Çairi ndërkohë konfirmojnë edhe bashkëpunimin e ngushtë të BDI-së me LSDM-në pasi pa votat e maqedonasve do të ishte i pamundur ky rezultat.

Pavarësisht kandidatëve me potencial të madh që vinin nga ambientet akademike, Besa është humbësja e madhe e këtyre zgjedhjeve duke marrë vetëm komunën e Zhelinës.

Në të gjithë retorikën para dhe pas zgjedhjeve, simpatizantët e partive të tjera e thërrinin “çobani” Ali Ahmetin për shkak se ai nuk ngurron që takim të rendësishme t’i bëjë edhe në stanet familjare ne malin e Dardhës afër Zajazit, ku ruan edhe delet.

Megjithatë, të gjitha kalkulimet dhe shifrat e mësipërme treguan se “çobani” Ali Ahmeti i kishte bërë aq mirë llogaritë duke mundur në fushën e lojës edhe vetë profesorët e Besës sëbashku me Zijadin Selën. /E.Senja-albeu.com/