Massimiliano Allegri ka dalë sot para gazetarëve në konferencën e zakonshme për shtyp, para ndeshjes së nesërme ndaj SPAL-it.

Trajneri i bardhezinjve vlerësoi kundërshtarët, duke u shprehur i bindur se do t’ia dalin të qendrojnë në Serinë A, por nuk e fshehu se do të lërë në stol disa prej titullarëve të tij.

“SPAL është një skuadër e organizuar mirë dhe përderisa është në Serinë A, do të thotë që e meriton. Madje, mund t’ju them se me aq sa kam parë, pavarësisht gjendjes së keqe në renditje, SPAL do të jetë një prej skuadrave që do t’i shpëtojnë rënies në Serie B. Ndeshjen ndaj tyre e kemi vlerësuar maksimalisht, sepse çdo rezultat tjetër përveç fitores, do të ishte dështim”, tha trajneri i bardhezinjve.

Massimiliano Allegri nuk ngurroi të zbulojë edhe disa prej emrave që pritet të zbresin në fushë nga minuta e parë nesër ndaj SPAL-it, teksa konfirmoi se disa prej titullarëve do të çlodhen.

“Buffon dhe Chiellini nuk do të luajnë, por mund t’ju them se në fushë do të jetë Douglas Costa, Bernardeschi, Dybala dhe Higuain. Kemi grumbulluar edhe De Sciglion, por nuk besoj se mund të jetë momenti i tij, sepse i mungon ritmi i ndeshjeve, për shkak të dëmtimit”, tha trajneri i Juventusit.