Ish-kapiteni i kombëtares, Lorik Cana, i dha në ndeshjen me Italinë lamtumirën futbollit. Në një intervistë për emisionin “Opinion”, Loriku ka rrëfyer për eksperiencën e tij në fushën e blertë për gjithë këto vite.

Gjatë intervistës Cana ka rrëfyer edhe momentin e vështirë kur De Biasi i kërkoi atij të qëndrojë në stol fillimisht në ndeshjen ndaj Rumanisë gjë për të cilën Cana tha se nuk ishte ndjerë aspak keq.

“Kisha kohë që e kisha programuar të largohesha nga futbolli dhe ishte fantastike t’i jepja lamtumirën në një ndeshje si ajo me Italinë. Është më mirë të largohesh në kohë”, theksoi Cana.

Për momentin më të lumtur Loriku thotë: “Pas ndeshjes me Armeninë, pasi për herë të parë u kualifikuam në Europian”.

Ndërsa për momentin më të vështirë Cana tregon: “Pas ndeshjes me Serbinë, sepse nuk e dinim çdo të ndodhte”.