Zëvendëskryetari i Qeverisë së Maqedonisë, Bujar Osmani, do të ketë nesër vizitë një ditore pune në Republikën e Kosovës, ku do të realizojë sërë takimesh me përfaqësuesit e kreut shtetëror të Republikës së Kosovës.

Fillimisht, zëvendëskryeministri Osmani do të mbajë takim me Kryetarin e Republikës së Kosovës Hashim Thaçi, më pas me Kryetarin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, si dhe me kryeministrin Ramush Haradinaj.

Osmani do të mbajë takim edhe me zëvendëskryeministrin dhe Ministrin për Punë të Jashtme të Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli.

Në takime do të hapen çështjet për bashkëpunim të ndërsjellë mes Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Kosovës, iniciativat rajonale për bashkëpunim, si dhe perspektivat evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Perspektivat evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor deri në vitin 2025 do të jenë edhe tema e adresimit të Zëvendëskryeministrit Bujar Osmani para studentëve të Universitetit për Biznes dhe Teknologji (UBT) në Prishtinë.