Janë 110 agjentët e policisë ushtarake të vrarë në shtetin e Rios në Brazil që prej fillimit të vitit. Lajmin e bën të ditur shtypi lokal, që i referohet të dhënave statistikore të ofruara nga vetë forcat e rendit.

Viktima e fundit në rendin kronologjik është regjistruar natën e kaluar. Bëhet fjalë për Alan de Souza Costa Martins, i cili u qëllua me armë zjarri nga disa banditë.

Oficeri në fjalë tentoi të parandalonte një sulm të armatosur në Guadalupe, në zonën veriore të metropolit. Ai nuk ishte në shërbim dhe sapo kishte dalë nga një palestër në momentin e ngjarjes.

Aktet e dhunës janë shtuar ndjeshëm në Brazil vitin e fundit, kjo edhe për shkak të destabilitetit politik. Nga ana tjetër, korrupsioni ka depërtuar thellë në radhët e policisë, përcjell TCH.

Pak muaj më parë autoritetet lëshuan një valë urdhër-arrestesh për rreth 100 oficerë të policisë ushtarake dhe 70 trafikantë, të dyshuar si të përfshirë në një skemë korrupsioni në një lagje të varfër të Rios.