Kontinenti i Europës dhe ai i Amerikës Latine i zgjidhën të gjitha enigmat për sa u përket skuadrave që do të shkojnë në Botërorin e vitit 2018.

Nga kontinenti i vjetër, skuadrat që iu bashkuan Rusisë me kualifikimin e drejtpërdrejtë janë Franca, Spanja, Gjermania, Anglia, Portugalia, Islanda, Belgjika, Polonia e Serbia.

Ndërsa në fazën e “play off”-it, shorti për të cilin do të hidhet më 17 tetor, janë Italia, Kroacia, Suedia, Zvicra, Greqia, Danimarka, Irlanda e Veriut dhe Irlanda.

Për sa i përket Amerikës Latine, përveç Argjentinës dhe Brazilit, në fazën finale u kualifikuan edhe Uruguaji e Kolumbia, ndërsa Peruja do të luajë në “play off”-in kundër Zelandës së Re.

Në Amerikën Qendrore u eliminuan Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërkohë që kanë prerë biletën Meksika, Kosta Rika e Panamaja.

Azia ka dërguar në Rusi Arabinë Saudite, Iranin, Korenë e Jugut dhe Japoninë, ndërsa nga Afrika kanë kaluar Nigeria dhe Egjipti. Shorti i fazës finale të Botërorit 2018 do të hidhet më 1 dhjetor në Moskë./ Top Channel