Presidenti i FIFA-s, Giani Infantino është gati të shprehet hapur mbi mbështetjen e kandidaturës së përbashkët të 3 vendeve në Amerikën e Jugut për organizimin e Kupës së Botës të vitit 2030

Mjaftuan detajet e një fluturimi të Giani Infantinos në Amerikën e Jugut, për t’i dhënë jetë konspiracioneve të tifozëve dhe mediave angleze mbi cenimin e kuotave për organizimin e Botërorit të futbollit në vitin 2030.

Presidenti i FIFA-s, sipas shtypit britanik është gati të shprehet hapur mbi mbështetjen e kandidaturës së përbashkët të 3 vendeve në Amerikën e Jugut, për turneun elitar pas 13 vitesh.

Anglia është mbajtësja e vetme e pishtarit evropian të shpresave për të rikthyer Botërorin e futbollit në vendin ku u shpik ky sport. Por Federata mendon se tashmë kuotat janë trazuar. Argjentina, Paraguai dhe Uruguai po bashkojnë forcat për të bindur Komitetin Ekzekutiv që t’u besojnë turneun, e vizita e Giani Infantinos këtë të mërkurë në Buenos Aires shihet si një asist për Botërorin.

Sipas anglezëve, kreu i FIFA-s do të diktojë ngritjen e grupeve të punës nga të 3 vendet, përpara se të bëjnë një ofertë zyrtare për të organizuar turneun. Nëse Infantino i jep mbështetjen e tij edhe jo zyrtarisht ofertës së Amerikës së Jugut, kjo do të ishte një goditje potencialisht serioze për mundësitë e Anglisë, shkruan Top Channel.

Në favor të ishullorëve janë infrastruktura e gatshme dhe stadiumet e një niveli elitar, të cilat, bashkuar me shifrat e ulëta të kriminalitetit, mund të bindin FIFA-n. Edhe pse lobingu ka nisur që tani, shumë ekspertë e shohin si të parakohshëm, për një votim që do të bëhet në vitin 2022.