Lëvizja BESA vazhdon sulmet e hapura ndaj kryeministrit Zoran Zaev. 

Postimi i fundit i kryetarit të BESËS, njëherësh kandidat për kryetar në Tetovë, Bilall Kasami, duket se janë qëndrim i gjithë Kryesisë Qendrore të partisë. Tashmë, edhe në fushatat televizive me rastin e rrethit të dytë të zgjedhjeve, që do të mbahen të dielën, BESA e quan Zaevin diktator. 


”Nuk do të lejojmë një diktator të ri”, thuhet mes tjerash në fushatën e BESËS në televizionet e vendit, ndërsa aludohet në mbështetjen që LSDM dhe kryeministri Zaev u jep kandidatëve të BDI-së karshi atyre të LR-PDSH-së dhe BESËS. Në ndërkohë, çdo ditë e më tepër po del në pah bashkëpunimi që koalicioni i shpëtimit të liderëve (LR-PDSH-BESA) kanë me VMRO-DPMNE-në e ish-kryeministrit Nikolla Gruevski. 

Së fundmi, ishte deputeti dhe nënkryetari i LSDM-së, Muhamet Zeqiri ai i cili në emisionin “Click Plus” në TV21, akuzoi Bilall Kasamin, Zeqirija Ibrahimin dhe Afrim Gashin se po bashkëpunojnë me VMRO-në.
”Para deputetëve, Ilija Dimovski i thotë Afrim Gashit: ‘Me ju nuk ka më marrëveshje, sepse na tradhëtuat’. Dhe Afrim Gashi i vrapon mbrapa duke ju arsyetuar Dimovskit. E kanë parë të gjithë deputetët e Parlamentit të Maqedonisë, ashtu siç e ka parë edhe Ziadin Sela”, tha Zeqiri, duke e akuzuar BESËN se ka marrëveshje me VMRO-në