Të ndihmuar nga VMRO,  ne si Lëvizje BESA mund të marrim anëtarin e Komisionit Shtetëror Zgjedhor. Kështu është shprehur anëtari i Kryesisë Qendrore të Lëvizjes BESA, Arjanit Hoxha, i cili në mbledhjen së 35-të të Kryesisë Qendrore të Lëvizjes BESA, të mbajtur më 8 korrik të këtij viti në Kodrën e Diellit në Tetovë, ka kërkuar – siç është shprehur ai, “vendosjen e urave me VMRO-në”. “Duhet të vendosim ura komunikimi me VMRO-në. T’u themi atyre se mund të heqim dorë nga nënkryetari i Kuvendit që të bëjmë marrëveshje me VMRO-në. Kjo do të na duhet edhe në zgjedhjet lokale, veçmas në rrethin e dytë. Besoj se shumica do të bashkëpunojë edhe në zgjedhjet lokale. Nuk bën të kemi nënkryetar të Kuvendit, nuk na bën nder ajo. Ky do të ishte sinjal edhe për mundësinë e bashkëpunimin me VMRO-në, sepse ata do ta vlerësonin heqjen dorë tonën nga nënkryetari i Kuvendit”, ka thënë para anëtarëve të Kryesisë Qendrore, Arjanit Hoxha, i cili madje është plotësuar nga deputeti i BESËS, Afrim Gashi, i cili është shprehur se: “pikërisht mbi këtë bazë (bashkëunimin me VMRO-në) e kemi bërë kërkesën dhe po e bëjmë atë betejë”.

Hoxha deputetëve të Lëvizjes BESA madje u kërkon që të mos shkarkohet Sekretari i Kuvendit, që atëkohë ishte nga radhët e VMRO-së. “Nëse nuk e shkarkojmë Sekretarin e Kuvendit, i japim sinjal VMRO-së që ajo të na ndihmojë për anëtarin e KSHZ-së. Tash ia lëmë Sekretarin e Kuvendit VMRO-së, ndërsa pastaj e kushtëzojmë LSDM-në për anëtarin e KSHZ-së. A fitojmë më shumë nëse kemi ndikim në administratën ë Kuvendit apo me anëtar në KSHZ? Ne duhet të mbajmë relacione me VMRO-në. Tekefundit, ta autorizojmë grupin parlamentar që ta marrë vendimin përfundimtar në lidhje me këtë çështje”.

Në procesverbalin e mbledhjes së 35-të të Kryesisë Qendrore të BDI-së mund të shihet se ishin jo të sinqerta kërkesat e tyre për nënkryetar Kuvendi, sidomos kur kemi parasysh fjalimin e deputetit Fadil Zendeli para anëtarëve të Kryesisë Qendrore në Kodrën e Dielit.

“Ata (shumica parlamentare) e kanë shtuar numrin e nënkryetarëve që të kënaqen të gjithë, e kanë zhvlerësuar pozitën dhe nuk di pse ne duhet ta marrim atë post”, thotë Zendeli.