FIFA ka nisur hetimet për atë që ndodhi në fushë në ndeshjen mes Adelaide United dhe Melbourne Victory, që përfundoi 2:2.

Gazetari i “Fox Sports”, Adam Peacock, ka konfirmuar se FIFA do t’i shikojë pamjet e incidentit mes Besart Berishës e Jordan Elsey si dhe shtyrjen që i bëri shqiptari gjyqtarit të katërt në sfidën mes Adelaide United dhe Melbourne Victory, që përfundoi 2:2.

Ndërsa Michael Zappone, po ashtu nga Fox Sports, tha se Berisha u ndëshkua me të verdhë për shkak të shterjes që i bëri gjyqtarit e jo për ndërhyrjen, çka do të thotë se mund të mos e marrë një dënim të dytë nga FIFA.

Lidhur me këtë ka folur edhe ish trajneri i Adelaide, John Kosmina, sipas të cilit Berisha ishte me fat që nuk u përjashtua me të kuq.

“Ai është shumë me fat. Nuk ka të drejtë që t’i vendosë duart në gjyqtarinë katërt e lëre më ta shtyjë atë”, tha fillimisht John Kosmina në “Fox Sports”.

“Shiko, nuk ishte diçka agresive pasi e bëri në mbrojtje dhe e largoi atë, por prapë se prapë nuk është dashur ta bëjë këtë”.

“Mendoj se ishte me fat që nuk u përjashtua me të kuq sepse për shkak të rregullave, ishte për të kuq. Berisha gaboi, nuk është dashur ta bëjë atë veprim”, shtoi Kosmina.

Në Australi raportojnë se Berisha mund të dënohet me disa ndeshje për shterjen e gjyqtarit.