Ndonëse kryeministri Edi Rama dhe maxhoranca deklarojnë se Prokuroria nuk ka prova për arrestimin e ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, Sali Berisha mendon se ka, duke sjellë disa prej tyre.

Në emisionin “Studio e Hapur” në News24, Berisha tha se t’i japësh makinën për trafik dikujt është njësoj si t’i japësh armën një tjetri për të vrarë dikë. Ai foli edhe për dhuratën e përmendur nga Habilajt në përgjim, byzylykun, ndonëse e tha varëse.

Rakipllari: Përballë kësaj teme të kanabizimit dhe drogës ne si gazetarë kemi një farë problemi në raport me personin që kemi përballë. Me gjithë skepticizmin tonë me gjithë akuzat, nga pikëpamja politike, Shqipëria u mbush me kanabis. Kjo është bërë me lejimin e policisë, ose me implikimin e policisë. Përtej kësaj, çfarë faktesh ka që e implikojnë penalisht Tahirin. Prokuroria nuk i ka këto fakte. Mos u nxitua Prokuroria?*

Berisha: Unë mendoj se faktet ishin absolute.

Rakipllari: Penale?

Berisha: Penale dhe të pakontestueshme. Makina për ta kuptuar qytetarët, është një lloj si një njeri t’i japë armën e vet një tjetri për të vrarë dikë dhe përpiqet që këtë ta maskojë me dokumente të shtira. Iu dha makinën, 03-shin për të çarë çdo tra, çdo postbllok, çdo doganë. E dyta, Saimir Tahiri është përfitues direkt në euro. Ju duhet të dini një gjë. Nuk ka njerëz më të saktë, më dixhital dhe më elektronikë, më precizë se sa kriminelët për krimet që kryejnë.

Rakipllari: Kjo duhet faktuar zotit Berisha?

Berisha: Kriminologjia këtë mësim ka. Ata kanë një memorie absolute për detaje dhe çdo gjë. Mos mendoni ju se ai tha që kam blerë varëse, se ai shpiku varëse. Pse nuk tha kam blerë orë? Pse nuk tha vëthë? Këto janë fakte të pakontestueshme. Ka kërkuar diamante ky. Pse? Sepse në botën e krimit, ka më rrezik nga paratë se nga diamanti. Transferta është transfertë sepse lë gjurmë. Ky ka kërkuar diamante, ose është maniak.

Këto janë fakte për mua dhe për çdo njeri. A janë këto prova? Kjo është tjetër gjë. As unë, as një politikan nuk ka të drejtë para një gjykatësi. Është në diskrecionin e këtij procesi.