Vizitën në Raven, kandidati për Kryetar komune nga radhët e BDI-së në Gostivar, Nevzat Bejta e filloi nga kompania prodhuese “Chicago Stone LLC”, një investim i diasporës shqiptare. Gjatë vizitës në administratën dhe repartin prodhues të kompanisë, Bejta potencoi që fusha e ekonomisë ka qenë më sfiduesja në këtë mandat, por ne arritëm të kemi ndikim.

“Në katër vitet e ardhshme, pas krijimit të infrastrukturës dhe kushteve për bizneset, do të përqendrohemi te punësimi. Jemi në kompaninë “Chicago Stone – LLC”, një investim i një mërgimtari nga Raveni që vepron në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Jetmir Iseni vendosi të investonte në vendlindje, dhe tani pas gati dy vitesh shohim se si kjo kompani është zhvilluar. Më gëzon lajmi që ma kumtoi pronari që në pranverë do të instalon teknologji plotësuese dhe me kapacitet më të madh ekzistues. E filloi me katër punëtor ndërsa tani ka 13. Me investimin e ri do të hape edhe 15 deri 20 vende të lira pune. Është shembulli më i mirë se si një mërgimtar investon në vendlindje dhe shënon rezultate admiruese”, deklaroi Bejta.

Në anën tjetër, pronari i kompanisë, Jetmir Iseni potencoi që firma aktualisht ka kapacitet për prodhimin e 800 tullave dekorative, ndërsa me teknoligjinë e re pritet të prodhin 3500 tulla brenda tetë orësh.

“Fillimisht më lejoni të falënderoj Kryetarin Bejta, mbështetja e të cilit ka qenë e jashtëzakonshme. Kishim përkrahjen e plotë të administratës dhe kryetarit. E filluam me kapacitet prej 800 tullash, tani në pranverë do të fillojmë me prodhim prej 3500 tullave dekorative të stilit amerikan brenda 8 orësh. Investimi i ri vjen si rezultat i shtimit të kërkesës në tregun vendas, por edhe fillimin e transportimit të prodhimit tonë edhe në Shqipëri e Kosovë. Besoj që numri i të punësuarve në kompaninë tonë do të arrijë në dyzet”, tha Iseni.

Në katër vitet e fundit, shtoi Bejta, së bashku, mbështetëm shumë biznese të vogla dhe të mesme.

“Në mandatin e ri do të bëjmë caktimin e lokacioneve për hapjen e zonave të lira ekonomike – industriale jo ndotëse jashtë zonave të banuara (Çegran – Forinë, Çajlë – Balindoll, Banjicë e Poshtme dhe Epërme, Raven – Vërtok, Debresh). Besoj që kompania e z. Isenit do të jetë kompania e parë që do të vendoset në zonën e lirë ekonomike të këtij rajoni”, vijoi Bejta.

Ekonomia dhe punësimi. Këto janë dy fjalë kyçe të Gostivarit të Nesërm! Me infrastrukturë të përmirësuar për të tërhequr investime dhe me qeverinë e re, me më shumë decentralizim, do të kemi mundësi të ndikojmë më shumë në ekonominë e qytetarëve.

Comments are closed.