Në ditën ndërkombëtare të personave të moshuar, kandidati për Kryetari komune nga radhët e BDI-së në Gosivar, z. Nevzat Bejta prezantoi planet për përkujdesje sociale, me theks të veçantë personat e moshuar.

Përkujdesja sociale, tha Bejta,  është një e drejtë e të gjithë individëve që kanë nevojë.

“Gostivari i Nesërm nuk do të pranojë zgjidhje të pjesshme nga Shkupi. Me qeverinë tonë të re, problemet nuk do të jenë më të njëjtat. Gostivari i Nesërm do të sigurojë hapjen e shtëpisë së pleqve, si dhe hapjen e qendrës për përkujdesje ndaj personave të moshuar dhe të vetmuar në qytetin e Gostivarit”, deklaroi Bejta në takimin me banorët e fshatrave Raven, Mirditë, Vërtok dhe Reça.

Nga sfera e përkujdesjes sociale, Bejta radhiti edhe projektet siç janë, hapja e qendrës ditore për autizëm, rregullimi i infrastrukturës për persona me nevoja të veçanta, iniciativë për përkujdesjen e personave me të ardhurave të pakta ose aspak të ardhura financiare, krijimin e programeve të posaçme sociale për strehim të rasteve sociale, përkrahje administrative dhe orientuese për punësim të personave me nevoja të veçanta, si dhe stimulimin dhe përkrahjen e shoqatave me programe sociale.