Dita e shtatë e fushatës zgjedhore, për kandidatin për Kryetar komune në Gostivar, z. Nevzat Bejta ka qenë e ngjeshur me takime të drejpërdrejta me banorët e fshatrave Reçan, Vërtok, Mirditë dhe Raven.

Gjatë takimeve me banorët e zonës, Bejta paralajmëroi ndërtimin e linjës kryesore të ujësjellësit nga burimi i lumit Vardar në Vërtok dhe deri në Gostivar, ndërkohë që pa nga afër riasfaltimin e rrugës rajonale Zdunjë, Raven, Vërtok dhe Reçan.

“Me këto dy projekte, zgjidhim problemin e banorëve të zonës sa i përket infrastrukturës. Me rrugën e re, ndikojmë pozitivisht në zhvillimin e turizmit. Në Vërtok dhe fshatra të tjera, për çdo ditë vijnë qindra qytetarë nga vendbanimet e tjera. Nuk donim që rruga të paraqet pengesë për lëvizijen e qytetarëve. Po ashtu, në planet për Gostivarin e nesërm kemi siguruar mjete nga qeveria zvicerane dhe ajo gjermane për ndërtimin e linjës kryesore të ujësjellësit nga burimi i lumit Vardar në Vërtok dhe deri në Gostivar. Këto janë projekte kapitale që do të përmirësojnë standardit e jetesës për banorët e zonës”, u shpreh Bejta.

Duke folur për projektet lokale, Bejta përmendi ndërtimin e rrjetit të kanalizimeve nga hyrja deri në qendër të fshatit Raven, rregullimin e shtratit të lumit dhe përmirësimi i ndriçimit publik në Mirditë, rikonstruimin e tërësishëm të objektit të shkollës në Reçan, hapjen e Shtëpisë së Gjelbër dhe Muzeut Natyror në Vërtok, si dhe shumë projekte të tjera të parapara për këtë rajon.

Bejta paralajmëroi caktimin e lokacioneve për hapjen e zonave të lira ekonomike – industriale jo ndotëse jashtë zonave të banuara (Çegran-Forinë, Çajlë -Balindoll, Banjicë e Poshtme dhe Epërme, Raven – Vërtok, Debresh), si dhe ndërtimin e këndeve të lojërve për fëmijë në hapësira publike të këtyre lokaliteteve.

Në planet për Gostivari e nesërm, Bejta paralajmërpo rehabilitimin e rezervuarëve me dozera klorifikimi për fshatrat: Reçan dhe Vërtok, ndërsa kërkesat që lindën si nevojë të banorëve të zonës u evidentuan dhe të gjitha do të bëhen pjesë e realizimit në mandatin e ri katërvjeçar.