Bashkimi Evropian e ka paralajmëruar Serbinë se angazhimi i gjeneralit Vladimir Lazareviq, i cili është i dënuar për krime lufte, si ligjërues në Akademinë Ushtarake, është në kundërshtim me parimet e BE-së.

Përfaqësuesja e  BE-së,  Maja Kocijançiq ka theksuar  sot se liderët  politikë duhet të bëjnë përpjekje për tejkalimin e  kujtimeve të rënda të nga e kaluara dhe konstruktivisht të ndërtojnë besim,  dialog dhe tolerancë reciproke.

“Serbia si vend kandidat për anëtarësim në BE, nuk mund të shmanget nga këto parime, ndërsa angazhimi i gjeneralit të dënuar në Akademisë Ushtarake serbe, njëherit, është një lëshim i tillë”, ka theksuar Kocijançiq.

Paraprakisht, kryeprokurori i Tribunalit të Hagës Serzh Bramerc shprehu shqetësimin se gjeneralët, të cilët kanë qenë të dënuar për krime lufte, do të ligjërojnë në Akademinë Ushtarake në Serbi.

“Është shumë shqetësuese të dëgjohet se kriminelët e dënuar të luftës konsiderohen për heronj. Tani kam kuptuar se gjeneralët, fajësia e të cilëve është dëshmuar dhe të cilët janë dënuar, për shkak se kanë kryer krime lufte, do të jenë profesorë të Akademisë Ushtarake”, theksoi Brammerc.

Gjenerali në pension Lazareviq ishte  dënuar me 14 vjet burg nga Tribunali i Hagës për përgjegjësi komanduese për krime lufte në Kosovë, gjatë konfliktit ndërmjet viteve 1998-1999. Ai u lirua në vitin 2015.