Vlerësojmë se procesi zgjedhor për zgjedhjet lokale po zhvillohet në mënyrë demokratike dhe qytetarët kanë mundësi që ta shprehin vullnetin e tyre të lirë dhe të papenguar. Kështu theksoi zëdhënësi i Shtabit Qendror Zgjedhor të  BDI-së, Arbër Ademi në takimin e parë me gazetarë.

“Komisioni Shtetëror Zgjedhor dhe organizatat joqeveritare bashkë me shumë mbikëqyrës ndërkombëtar që po vëzhgojnë ecurinë e këtyre zgjedhjeve e shohin këtë proces kryesisht si të rregulltë dhe në përputhshmëri me pritshmëritë e pjesëmarrësve në proces. Parregullsitë e vogla teknike që janë evidentuar në disa vendvotime nuk cenojnë në asnjë mënyrë procesin dhe prandaj ftojmë partitë politike që mos të kërkojnë alibi për verdiktin e sotëm të popullit, por të angazhohen për mbarëvajtjen e procesit dhe të japin kontributin e tyre për zgjedhje të lira dhe demokratike. Ne ftojmë qytetarët të dalin masovikisht ta ushtrojnë të drejtën e tyre të votës dhe të votojnë sipas bindjes së tyre, të lirë dhe pa asnjë frikësim dhe kushtëzim, ndërsa çdo parregullsi eventuale, ta raportojnë në institucionet përkatëse”, tha Arbër Ademi.