Kreu i Partisë Demokratike ka deklaruar se deputeti Sajmir Tahiri nuk do t’i shpëtojë përgjegjësisë penale, pavarësisht se maxhoranca votoi kundër heqjes së imunitetit dhe arrestimit të tij. Pas takimit me ambasadorin e SHBA-së Lu dhe të BE-së Romana Vlahutin, Basha tha se sapo ka nisur një betejë për të cmontuar narko-shtetin që ka pushtuar vendin nga droga, shkruan Gazeta Shqip.

“Tahiri nuk do t’i shpëtojë drejtësië, pavarësisht nga mbrojtja publike që i bëri mazhoranca. Falë fakteve nga partnerët e huaj dhe prokuroria, do bëjmë të mundur që ai të marrë ndëshkimin nga ligji shqiptar për mbështetjen e një bande për trafikun ndërkombëtar të drogës, – u shpreh Basha nga selia e PD-së. – Këto janë konstatime të komisioneve perëndimore. Por Tahiri nuk është fundi, por fillimi i çmontimit të narko-shtetit. Kjo është një përpjekje e një lufte që sapo ka nisur dhe që s’do të jetë e lehtë. PD do ketë rolin e saj në këtë luftë, në mbështetje të prokuorisë dhe gjykatave të vendit, në planin legjislativ siç është komuniteti parlamentar dhe në planin politik që Shqipëria të çlirohet nga droga që ka penetruar në shtet e polici”.

Sipas Bashës, kjo është një përpjekje në bashkëpunim me partnerët e huaj, BE-SHBA. Ai i lexoi deklaratat e Yee dhe Donald Lu si një përgjigje e ashpër ndaj politikanëve që shkelin ligjin.

“Qëndrimi i Ramës pas deklaratës së Lu-së është i dëshpëruar. SHBA foli qartë, mbështeti prokurorët dhe dënimin që shkon te mbrojtja e politikanëve. Kjo tregon se Rama vijon të jetë pjesë e problemit dhe refuzon të bëhet pjesë e zgjidhjes, sepse pa lejen e tij, Shqipëria nuk do mund të shndërrohej në një hambar të drogës. Ky ka qenë një projekt politik i Ramës për drogën, nuk janë rastësi këto. Në 4 vite, e ktheu vendin nga një anëtar të NATO-s, në një vend si baza kryesore e prodhimit dhe trafikimit të drogës drejt vendeve perëndimore”.