Kreu i opozitës Lulzim Basha i përgjigjet kryeministri Edi Rama për reformën në Drejtësi dhe vettingun.

Basha shkruan se sa shumë e do Rama drejtësinë këtë e tregon rasti i Saimir Tahirit.

Ndër të tjera kreu i opozitës përmend edhe qytetarë që janë vetëflijuar dhe që sipas Bashës ka ndodhur për shkak të varfërisë nën qeverisjen e Ramës.

Reagimi

SE SA E DO RAMA DREJTËSINË, E TREGOI SKANDALI TAHIRI; SE ME KË BASHKËQEVERIS RAMA, E TREGUAN PËRGJIMET E ANTIMAFIAS ITALIANE.

Kontributi i Edi Ramës per drejtësinë është sulmi ndaj prokurorëve, ndaj dëshmitarëve, policëve të ndershem e madje edhe ndaj gazetarëve, sic bëri pasi plasi skandali Tahiri.

Ndaj me paturpësi, përpjekjen e opozitës dhe gjithë shoqërisë për të çliruar politikën nga Sajmir Tahirët e drogës, nga ministrat që fikin radarët e ushtrisë dhe nga policët që ngarkojnë thasët e drogës e quajti sot një grindje të vogël.

Drejtësia që Sajmir Tahiri dhe Edi Rama u ka dhënë shqiptarëve? Njerëzit e ndershëm, njerëzit e varfër janë rrëmbyer në kundërshtim me ligjin për akuza qesharake. Kriminelët janë nxjerrë nga burgu, janë bërë deputetë dhe kryetarë bashkie, drejtorë dhe “biznesmenë”.

Edi Rama dhe shteti mafioz që ai drejton e arrestoi dhe e coi në vetëvrasje 22 vjeçarin Estref Halili nga Kolonja e Lushnjës për një cigare hashash. Për Tahirin, që është kapur në përgjimet e antimafias me tonelata hashash nuk ka arrest por mbrojtje politike me imunitet.

Melita Çenga, infermiere nga Shkodra, Brunilda Meka nga Korça u hoqën nga puna dhe shkuan drejt vetëvrasjes se nuk mbanin dot familjen. Tahiri që në përgjimet e antimafias del se merrte 30 mijë Euro vetëm për një ngarkesë, bredh i lirë sepse e mbron Edi Rama.

Resmije Alla, 35 vjeç humbi jetën duke rilidhur korentin për pompën e frymës së djalit të saj 6 vjec me azëm, se nuk kishte mundësi të paguante faturën e rritur. Tahiri merr 9 mijë Euro byzylykë, 15 mijë Euro diamante nga trafikantët, mban syze 10 mijë Euro, por për Edi Ramën këto janë letra bakalli.

Qamil Zela, i burgosur, i vetëvarur për një borxh prej 3 mijë e 200 lekësh ndaj OSHEE, Arif Doda, Klajdi Muça, Llazar Nasi, Gjovalin Gjini, e dhjetëra të tjerë, i ka çuar Edi Rama drejt vetëvrasjes për faturën e energjisë, por për Ministrin e tij të Brendshëm me targë AA003GB që bënte trafik droge, nuk ka prova. Sepse atij “nuk i mjaftojnë 20 milionë Euro për fushatë” sic shprehen bashkëqeverisësit Habilaj në përgjimet e antimafias.

Edi Rama dhe qeveria e tij janë të zhytyr në krim dhe të kapur nga krimi. Shteti mafioz që burgos dhe dhunon të varfërit dhe mbron e ndihmon kriminelët dhe politikanët e lidhur me krimin duhet shembur nga themelet.