Zidane nuk është i brengosur për epërsinë prej tetë pikëve të Barcelonës.

Real Madridi ka pësuar humbje 2:1 nga Girona në xhiron e dhjetë të La Ligas, duke mbetur tani tetë pikë prapa Barcelonës.

Trajneri i “Los Blancos”, Zinedine Zidane, nuk është aspak i shqetësuar, pavarësisht kësaj diference të thellë me Barcelonën.

“A je i brengosur që Barcelona është tetë pikë para? Jo. Kishim shanse që të mbyllim çështjen e fituesit me disa raste, por nuk i shfrytëzuam. Në fund humbëm dhe jemi tetë pikë prapa. La Liga është shumë e gjatë andaj nuk jam aspak i brengosur për këtë diferencë”, u përgjigj Zidane.

“A do të ndikojë kjo humbje? Nuk mund të jeni i lumtur pas një humbje, sot është ditë e keqe. Do të shkojmë në shtëpi, të pushojmë dhe t’i mbushim bateritë për të mërkurën. Kam një grup që do të jetë gati për të mërkurën”, shtoi Zizu.