Forma e mirë e Mario Balotellit në kampionatin francez të futbollit dhe largimi nga problemet jashtë fushave, që e kishin kthyer në një personazh negativ dhe “gjahun” e gazetave, nuk e kanë bindur stafin teknik të kombëtares italiane.

“Të kaltrit” do të impenjohen në një “paly off” të rrezikshëm që vlen një vend në finalet e Botërorit 2018, dhe “Supermario” do të detyrohet ta shikojë të gjithë këtë si spektator.

Në prag të përballjes së parë mes nordikëve dhe Italisë, trajneri Gian Piero Ventura nuk do t’i besojë sulmuesit me ngjyrë asnjë vend në listë. Stafi teknik i “të kaltërve” aplikon një skemë paragrumbullimi për futbollistët që aktivizohen jashtë Serie A, e bomberi i Nicës mungon në apel.

Por, nëse për “Supermarion” nuk ka vend, një grumbullim surprizë mund të fitojë për sulmuesin Simone Zaza.

Thuajse të gjithë e mbajnë mend kërcimin qesharak dhe ekzekutimin po kaq grotesk të penalltisë së sulmuesit italian ndaj Gjermanisë, diçka që e ktheu në objekt humori. Por tani, Simone Zaza ka rilindur me fanellën e Valencias dhe po bëhet protagonist absolut me gola në kampionatin spanjoll.