Aleanca për Shqiptarët ka reaguar lidhur me mbështejen e kryeministrit të vendit, Zoran Zaev që ju bën kandidatëve për kryetar komunash nga radhët e BDI-së.

“A e ka të njohur Zaevi që paraqitjet e tija në tubime partiake zgjedhore në sajë të “kryeministrit” në mbështetje të kandidatëve të BDI nuk janë në pajtim me rekomandimet e Pribe për ç ‘kapje të shtetit nga partitë?!

Ia përkujtojmë se njëra nga partitë e cila përmendet me përpikëri në sintagmën e KE dhe organizatave tjera ndërkombëtare me relevancë është mu ky organizimi politik – BDI, e cila prej kohës së regjimit dypartiak të uzurpimit të shtetit ka vazhduar me të njëjtën kryesi dhe pa dhënë asnjë llogari.

A e ka të njohur Zaevi se sa janë kërcënimet e tija publike për bashkëpunim mes qeverisë dhe shtetit vetëm në raste kur partitë qeverisëse kanë shumicë dhe kryetarë, në përputhje me kriteret e Kopenhagës dhe në përgjithësi me kulturën demokratike në shtet?!

Me përvojën e tij si kryetar komune nga radhët e një partie opozitare do të duhej që së paku ti kujtohet se këto lloje të veprimit nuk kanë të bëjnë fare me shtetin e së drejtës dhe sundimin e ligjit!

Zaevi i cili pretendon të sjell jetë në Maqedoni për të gjithë, personi i cili ishte më i zëshëm për çlirimin e qytetarit nga zgjedha partiake, nga kontrolli i “pamëshirshëm” i partisë mbi qytetarin, duhej të ishte individi i fundit i cili do të duhej të merr guximin që t’i llogarit votuesit si një tufë e pavetëdijshme, aparaturë mekanike votuese e cila do të rreshtohet pas “kushtrimit” të udhëheqësit të tufës.

Ne jemi thellë të bindur se ashtu siç kanë evoluar proceset në mbarë botën, ashtu kanë evoluar dhe qytetarët e Maqedonisë dhe që ata do të dinë të zgjedhin më të mirën për veten e tyre!” thuhet në reagimin e ASH-së. /TetovaSot/