Garancia e sigurisë është dobia më e madhe për Maqedoninë, si vend anëtar në NATO, veçanërisht nëse merret parasysh se në 25 vitet e fundit ajo ka konsumuar siguri. Ndërkohë, ky proces ka ndryshuar dhe Maqedonia ka filluar të eksportojë siguri. Anëtarësimi në NATO, sipas përvojës së vendeve të tjera që kalojnë nëpër të njëjtin proces, ndikon më së shumti mbi atmosferën për biznes dhe investime më të mira, gjegjësisht për investues të huaj.

Ky është konstatimi i ish shefit të Shtatmadhorisë së ARM-së, gjeneralnënkolonelit Mirosllav Stojanovski, të dhënë para 50 studentëve pjesëmarrës në seminarin e sotëm “Sot kombëtar, nesër NATO liderë”, të organizuar nga Qendra për Politika Ekonomike, Analiza dhe Konsulencë (CEPAK) në bashkëpunim me NATO divizionin për diplomaci publike.

“Maqedonia është rekorder botëror në procesin anëtarësimit  në NATO. Njerëzit janë të dëshpëruar dhe të padurueshëm, ndërsa shkak për këtë është se Maqedonia de fakto ka vepruar si anëtare e NATO-s, sepse ka përmbushur detyrime të caktuara si një vend partner, që anëtaret e tjerë nuk e kanë përmbushur. Pranuam shumë standarde të nevojshme për ndërveprim të ARM-së me anëtaret e tjera partnere  dhe anëtarësimi ynë duhet të jetë çmim, e jo dhuratë. Ka pasur raste kur pranimi në NATO ka qenë jashtëzakonisht vendim politik. Për rastin tonë konsideroj se ky është çmim i merituar”, tha Stojanovski.

Duke u përgjigjur në pyetjen nëse ARM është e gatshme të hyjë në NATO duke marrë parasysh që anëtarësimi sjell obligime të veta gjenerali Stojanovski tha se për momentin personeli i ARM-së është njeri i rritur në trup të fëmijës. Ai sqaroi se kemi personel të trajnuar dhe me përvojë i cili në kushte reale ka dëshmuar se është konkurrues në krahasim me armatat e tjera, ndërsa në trup të fëmijës sepse nëse armata ka më shumë mjete rezultatet do të jenë më të mira.

Lidhur me obligimet në NATO Stojanovski tha se Armatës i duhet buxhet më i madh sepse, sipas tij, ARM-në e pret pjesëmarrje më e madhe në misionet ndërkombëtare sepse obligimet të cilat deri tani i ka mbuluar NATO-ja, me anëtarësimin duhet t’i paguajë Maqedonia.

Stojanovski është optimist se së shpejti Maqedonia do të bëhet anëtare e NATO-s.

Ish diplomati në BE, Dimitar Bellçev, para studentëve porositi se në këtë moment është me rendësi të revitalizohet përcaktimi i Kuvendit të Maqedonisë për vendimet strategjike të miratuara në vitin 1992/93 për inkuadrim në NATO dhe inkuadrim në BE.

Sipas tij është me rëndësi që të rinjtë në Maqedoni të jenë të gatshëm të dinë se Maqedonia nuk është e izoluar nga proceset që lëvizin rreth nesh dhe më gjerë në rajon dhe t’u jepet orientim në cilin drejtim duhet t’i ndërtojnë kapacitetet personale që ta ndërmarrin rolin udhëheqës në shtet.