Kandidati i LSDM-së për kryetar të Shkupit, Petre Shilegov ka mbështetje prej 37,1 për qind të votuesve, përkundër rivalit kryesor nga VMRO-DPMNE, Koce Trajanovski për të cilin u deklaruan 34,6 për qind e qytetarëve, tregon anketa më e re telefonike e agjencisë M-prospekt e përpunuar me kërkesë të televizionit Telma dhe QNBN-së në prag të zgjedhjeve lokale më 15 tetor.

Për kandidat tjetër do të votojnë 5,8 për qind e të anketuarve, përderisa 22,5 për qind u përgjigjën se nuk e dinë se për kë do ta japin votën e vet. Sipas përkatësisë etnike të të anketuarve, Shilegov ka mbështetje prej 30,9 për qind të votuesve maqedonas dhe 58,6 për qind tek trupi votues shqiptar. Trajanovskin, ndërkaq, e mbështesin 42,3 për qind e të anketuarve maqedonas, ndërsa 4,8 për qind nga shqiptarët.

Në raport me listat e këshilltarëve në Qytetin e Shkupit, për LSDM-në janë përcaktuar 33,8 për qind, për VMRO-DPMNE-së 31,7 për qind, për BDI-në katër dhe për Lëvizjen BESA 3,7 për qind e të anketuarve.

Anketa është bërë në periudhën prej 23 shtatorit deri më 2 tetor, ndërsa me të janë përfshirë 1.513 të anketuar në territorin e Qytetit të Shkupit.