Anglia është kampione bote për moshat U-17 pas një përmbysjeje të çmendur në finalen kundër Spanjës.

“Tre Luanët” e panë veten në disavantazh 0-2 në Kalkuta të Indisë përpara se të shënonin pesë gola dhe shpërthenin në delir për titullin e tyre të parë në histori.

Dhe futbolli ishullor jep sinjale për të ardhmen pas mbylljes së një viti madhështor. Sepse përveç titullit kampion bote për skuadrën U-17 të Stiv Kuperit, edhe Anglia U-20 qëndron në piedestalin e botës. Dhe një tjetër provë është edhe titulli kampion Europe i skuadrës U-19.

Spektaklin e nisën spanjollët me dopietën e Serxho Gomezit në pjesën e parë. Por “Luanët” e rinj treguan një forcë monumentale karakteri.

Rajan Bryster (golashënuesi i turneut) shkurtoi me golin e 8-të këtë Botëror, duke i dhënë shpresë Anglisë përpara se të riktheheshin në dhomat e zhveshjes.

Morgan Gibs Uajt barazoi në fillim të pjesë së dytë, përpara se talenti i Sitit, Fill Foden të niste përmbysjen e çmendur. Mark Guehi shënoi golin e katërt dhe përsëri Foden vulosi “shuplakën” për iberikët.

Anglia u hakmor kështu edhe për humbjen në finalen e Europianit në maj.