Qasja e pushtetit qendror ndaj atij lokal duhet të ndryshojë, apelon ish kryetari i BNJVL-së, Andrej Petrov. Sipas tij, duhet të ndërpritet praktika e bllokimit të mjeteve nga buxheti qendror, për komunat të cilat drejtorhen nga kuadro të partive që nuk janë pjesë e pushtetit ekzekutiv.

Ajo që ndodhte është e keqe dhe duhet të ndalet. Kishim praktikë të keqe ku mjetet dedikoheshin aty ku kryetarët e komunave ishin nga partia në pushtet. Kuptohet kishte edhe përjashtime, kur gjithçka varej nga aftësia e kryetarëve të komunave për të hartuar projekte. Megjithatë, në përgjithësi kishte një koncept që t’u ndihmohet ‘të vetëve’. Ky koncept i të ndihmuarit të ‘të vetëve’ duhet të ndalet, sepse në një farë mënyre jemi shtet i vogël dhe të gjithë jemi ‘tonët’ dhe të gjithë punojmë në interes të qytetarëve- deklaroi Andrej Petrov, ish kryetar i BNJVL-së.

Qytetarët e këtij shteti, pavarësisht banorë të cilës komunë janë meritojnë që buxheti t’iu ndahet të gjithëve në mënyrë të barabartë, thotë Petrov. Sipas tij, në këtë drejtim rol të rëndësishëm ka Bashkësia e Njësive të Vetëqeverisjes lokale.

Këtu funksioni kryesor, ashtu si edhe në të kaluarën do të jetë i Bashkësisë së Njësive të Vetëqeverisjes Lokale, e cila duhet t’i artikulojë ato punë. Normalisht se marrëdhënia e balancuar në Qeveri do të mundësojë që kjo të realizohet më lehtë. Duhet gjithmonë të veprohet mbi kritere, që janë të përcaktuara qartë dhe asnjë ndarje të mos bëhet pa pjesëmarrje të përfaqësuesve të komunave- shtoi Andrej Petrov.

Ndonëse nuk ekziston ndonjë evidencë e saktë se sa komuna dhe në sa raste janë diskriminuar nga Qeveria, kjo dukuri ka qenë praktikë në vend. Shpesh kryetarët e komunave që ishin nga radhët e partive opozitare janë ankuar se Qeveria nuk u jepte mjete të mjaftueshme për projektet lokale duke bllokuar kështu realizimin e tyre.

Anesa Salihu