Duke komentuar matematikat e rrethit të dytë të zgjedhjeve locale në Maqedoni, analistët vlerësojnë që koalicioni midis Besës dhe Aleancës për shqiptarët është i destinuar të dështojë

Analisti politik Xhelal Neziri thekson se ky koalicion nuk do t’i sjellë ndonjë përfitim të theksuar asnjërës nga këto dy partitë, ndërkohë që do ta dëmtojë shumë liderin e LR-PDSH-së, Zijadin Sela.

“Gjasat që Sela të fitojë Strugën janë minimale. Në momentin kur ASH duhej të profilohet si parti e dytë te shqiptarët, pasi kishte rritje prej 14 mijë votash, Sela vendosi të lidhë koalicion me BESË-n, një parti me rënie prej 11 mijë votash për dhjetë muaj. Me këtë rrezikon të humbë edhe pushtetin lokal në Strugë, edhe atë qendror”, ka thënë Neziri, duke i cilësuar këto veprime si “vetvrasje politike”.

Ai më tej ka thënë se humbja e votave të BESËS lidhet edhe me afrimin që kjo parti pati me VMRO-në.

“Rënie të madhe në raport me zgjedhjet e fundit parlamentare ka BESA – rreth 11 mijë vota të cilat duken se kanë kaluar në konto të LSDM-së, BDI-së, ose ndoshta bëhet fjalë për abstenim. Kjo rënie BESË-s ka të bëjë me politikat jokonzistente dhe të pamenduara, të cilat dukeshin sikur nuk kanë vizion të qartë dhe strategji, veçanërisht me afrimin e tyre ndaj VMRO-PDMNE-së”, është shprehur Neziri në emisionin “360 gradë” në Alsat-M.

Analisti tjetër politik Agim Jonuz thotë se qytetarët duan bukë dhe jo retorikë nacional-romantike që të mira nuk i solli vendit për vite me radhë!

“Në ‘dhomën’ e VMRO-së akoma ka mjegulla nga ai helmi, siç thoshin gjithandej ‘dhoma gazi për shqiptarët’ dhe pikërisht nga këto deklarata, është shumë vështirë që edhe një kohë të gjatë, me gjithë ndryshimet që mund të ndodhin, ndonjë shqiptar të votojë për VMRO-në. Dhe nga ana tjetër, tani kemi rastin e koalicionit ASH-BESA, e posaçërisht kjo e fundit, me rritjen e frymës per ndërrimin e civilizimit, me strategji panislamiste, muxhahedine… Dhe tani shohim një tentim, gjithmonë duke u thirr në emër të nacionalizmit, të shpëtojnë liderët e tyre të rrezikuar tashmë”, ka thënë Jonuz.

“Ajo që është me rëndësi kantë bëjë edhe me këto zgjedhje. Qytetarri vërtetoi dhe tregoi se ka besim në pjekurinë e LSDM-së dhe BDI-së dhe kjo është arsyeja pse këto dy parti fituan, pjekuri që nuk u ka pa te partitë tjera”, tha Jonuz.