Me marrjen e lajmit të hidhur për ndarjen nga jeta e studiuesit të njohur të historisë së letërsisë shqiptare, Robert Elsie, më lejoni që në emër të Universitetit të Tetovës, t’Ju shpreh ngushëllimet vëllazërore, institucioneve arsimore – shkencore me të cilat bashkëpunoi ai, si: Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës, Universiteti i Bonit, Ministria e Punëve të Jashtme e Gjermanisë, Shoqata e Evropës Juglindore “Südosteuropa-Gesellschaft’’, institucionet tjera të arsimit, shkencës dhe kulturës, familjes së nderuar Elsie, kolegëve, miqve dhe lexuesve të panumërt të veprës së Tij gjeniale.

Elsie, shkencëtari dhe studiuesi që bëri epokë, do t’na mungojë të gjithëve, në veçanti studiuesve dhe dashamirëve të gjuhës, letërsisë dhe kulturës shqiptare.

Ai la pas vetes thesare të çmueshme për historinë e letërsisë sonë, ndaj do të mbetet burim frymëzimi për brezat, si model i përkryer i studiuesit dhe shkencëtarit.

Veprat e përkthyesit kolosal, me kompetencë dhe argumente shkencore, pasqyrojnë historinë e Shqipërisë, dhe në veçanti të jetës së shqiptarëve ndër shekuj.

Me punën dhe veprën e Tij, padyshim e ka siguruar vendin në panteonin e kontribuesve të pavdekshëm për kombin shqiptar.

Qoftë i përjetshëm kujtimi për studiuesin dhe mikun e madh të kombit shqiptar!