Ambasada amerikane thotë rinegociimi i demarkimit të kufirit me Malin e Zi, apo dërgimi i kësaj çështjeje në Gjykatën e Arbitrazhit varet nga dy qeveritë dhe për këtë duhet të pyetën ato. Ndërsa, eurodeputetja Ulrike Lunacek deklaroi se Bashkimi Evropian nuk pranon marrëveshje të re.

Kryeministri Ramush Haradinaj vazhdon të insistojë se marrëveshja e nënshkruar e demarkacionit me Malin e Zi duhet të korrigjohet, e pas kësaj të ketë rinegociim, edhe pse për autoritetet malaziase kjo çështje është e mbyllur në momentin që është ratifikuar në Kuvendin e tyre.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë ka thënë për Gazetën Express se rinegociimi ose jo i marrëveshjes së Demarkacionit varet krejtësisht nga dy shtetet përkatëse.

“Marrëveshja e demarkacionit të kufirit është marrëveshje bilaterale mes Kosovës dhe Malit të Zi. Pyetjet lidhur me ri-negociim dhe arbitrim, duhet drejtuar qeverive përkatëse”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës për Gazetën Express.

Se marrëveshja e Demarkacionit nuk mund të diskutohet më tej u deklarua edhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli, i cili tha nuk mund të rinegociohet cështja e demarkimit të kufirit, përderisa Mali i Zi e quan çështje të mbyllur.

“Demarkacioni për Malin e Zi është një çështje e mbyllur, është një marrëveshje që është nënshkruar dhe është ratifikuar në parlamentin e Malit të Zi, është përmbyllur dhe praktikisht është punë e kryer për ta”, ka thënë Pacolli dje në mbledhjen e komisionit parlamentar për Punë të Jashtme.

Ish-deputetja e Parlamentit Evropian, Ulrike Lunaçek, megjithatë, nuk e ka lënë në duar të dy shteteve çështjen e Demarkacionit.

Ajo sot ka thënë se Bashkimi Evropian nuk njeh marrëveshje të re për demarkacionin, derisa ka kërkuar nga deputetët e Kuvendit të Kosovës që ta votojnë marrëveshjen për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, në mënyrë që qytetarët e Kosovës të kenë të drejtë të udhëtojnë në vendet e BE-së pa viza.