Ambasada e SHBA-së i përshëndeti konstatimet e para të OSBE/ODIHR se zgjedhjet lokale ishin kompetitive dhe se respektimi i lirive themelore kontribuoi drejt përmirësimit të procesit demokratik.

“Këto konstatime janë në pajtim me atë që ekipet e Ambasadës së SHBA-së e kanë vërejtur në raundin e parë dhe të dytë të zgjedhjeve”, thuhet në kumtesën e sotme të Ambasadës së SHBA-së në Shkup.

Atje ku ekziston shqetësim për parregullsi dhe keqpërdorime, Ambasada e SHBA-së, siç qëndron, përsëri u rekomandon qytetarëve që ta shfrytëzojnë procedurën përkatëse dhe t’i denoncojnë, ndërsa autoriteteve relevante t’i adresojnë shpejt.

“Gjithashtu i rekomandojmë Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve dhe trupave të tjerë relevant qeveritar që ta shfrytëzojnë periudhën pas këtij procesi zgjedhor që të fokusohen në rekomandimet e ODIHR që ishin dhënë pas zgjedhjeve në vitin 2016 dhe 2017. Me këtë do të përforcohen proceset e ardhshme zgjedhore”, thuhet në kumtesën e Ambasadës së SHBA-së.

Pushteti i fuqishëm lokal, theksojnë nga Ambasada, siguron baza për një demokraci dinamike.

“I inkurajojmë kryetarët e komunave dhe këshilltarët komunal të sapozgjedhur të jenë të hapur, në dispozicion dhe përgjegjës për qytetarët në komunat e tyre. Ambasada do ta vazhdojë bashkëpunimin me komunat, organizatat dhe qytetarët që të zhvillohen reformat kyçe në nivel lokal”, thuhet në kumtesë.

Ambasada e SHBA-së, gjithashtu, i uroi qytetarët e Maqedonisë të cilët e shfrytëzuan të drejtën e tyre të votës gjatë zgjedhjeve lokale në tetor të vitit 2017.