Shtabi zgjedhor i Bashkimit Demokratik për Integrim – Dega Çair ka organizuar takimin e liderit të BDI-së, Ali Ahmeti dhe kandidatit për kreun e komunës, Visar Ganiu, me  të rinj dhe studentë për të promovuar disa prej projekteve më të fundit që i janë bashkëngjitur Kontratës 2017-2021 për avancimin e arsimit dhe krijimin e kushteve adekuate për punësim.

Në këtë takim ata kanë folur për perspektivat e të rinjve dhe studentëve gjatë katër viteve të ardhshme, si edhe kanë prezantuar projektet që parashikohen të realizohen si pjesë e Kontratës, strategjisë për zhvillimin e Çairit. Mes të tjerash ata kanë prezantuar edhe projektin e  titulluar “Përgatitu për punësim”,  që synon jo vetëm që të nxisë punësimet, por edhe të inkurajojë dhe orientojë të rinjtë për t’u kualifikuar dhe trajnuar për mënyrën sesi të aplikojnë dhe të kërkojnë një vend pune.

Po ashtu, ata kanë folur edhe për projektin për ndërtimin e kampusit për studentët e universitetit Nënë Terezë në Çair. Takimi me studentë në ditën e fundit të fushatës është në vazhdën e aktiviteteve dhe promovimeve që ka bërë kandidati Ganiu të projekteve të tij me theks tek arsimi, rinia dhe krijimin e mundësive dhe shanseve të barabartë për  punësime dhe edukim cilësor.